“A jeni për në BE kur zyrtarë si Balluku hetohen nga SPAK?”/ Rama nga Brukseli: Lufta jonë ndaj korrupsionit, e paprecedentë në rajon

25/11/2026 18:01

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel, ku në prag të samitit BE–Ballkani Perëndimor ka kërkuar një hap më të guximshëm nga Bashkimi Europian për përshpejtimin e integrimit të vendeve kandidate.

Në komunikimin me mediat, Rama foli për perspektivën europiane të rajonit, ecurinë e negociatave të Shqipërisë, si dhe u pyet për luftën kundër korrupsionit dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë.

“Ky samit vjetor është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit për të gjitha vendet kandidate. Ai ka rëndësinë e vet edhe për shtetet anëtare, pasi përbën një moment për një dialog të hapur dhe shumë konstruktiv. Gjithashtu, është një moment për të ballafaquar perceptimet e ndryshme mbi zhvillimet e vitit dhe idetë për të ardhmen. Prandaj, për ne është jashtëzakonisht e rëndësishme të jemi të pranishëm në këtë aktivitet të përvitshëm. Besoj se ky samit i këtij viti ofron një arsye shumë të mirë për të çuar përpara procesin e integrimit. Unë mbetem i bindur se Bashkimi Evropian duhet të gjejë kurajën për të ndërmarrë një hap shumë të guximshëm përpara, duke i ulur të gjitha vendet kandidate rreth së njëjtës tryezë, pa ndryshuar procesin e bazuar në merita për secilin vend, por duke dhënë një sinjal shumë të fortë, nga njëra anë, për opinionet tona publike dhe, nga ana tjetër, për mbarë botën. Ky është, në njëfarë mënyre, edhe fryma me të cilën ndodhem këtu sot”, tha fillimisht Rama.

Gazetari: A do të diskutoni për propozimin gjerman, i cili u paraqit në Samitin e Tiranës?

Edi Rama: Jo, ai është pjesë e kësaj çështjeje, por besoj se ai propozim, ashtu si edhe idetë e tjera, kanë nevojë për një kuadër më të gjerë. Dhe pikërisht këtë kuadër kam kohë që po e propozoj: e gjithë Evropa, Bashkimi Evropian dhe vendet kandidate të ulura rreth së njëjtës tryezë.

Gazetari: Sa kapituj planifikon të mbyllë Shqipëria deri në fund të këtij viti?

Edi Rama: Ne po punojmë shumë fort çdo ditë me Komisionin Evropian dhe le të shohim si do të dalin llogaritë. Por, me sa jam në dijeni, jemi në rrugën e duhur dhe sipas planifikimit. Nga ana tjetër, kjo nuk është një punë e njëanshme, por një punë me dy kahe. Për disa prej çështjeve, ne jemi ende në pritje që Komisioni të japë dritën jeshile, sepse, siç e di kushdo që është i përfshirë në këtë proces, Komisioni duhet t’i miratojë paraprakisht tekstet që ne i kemi përgatitur tashmë.

Gazetari: A mund të pretendojë Shqipëria se është e gatshme për anëtarësimin në BE, kur zyrtarë të nivelit të lartë politik, si zonja Balluku, janë nën hetim penal nga SPAK-u? Kjo konsiderohet gjithashtu një test shumë i rëndësishëm për përpjekjet që një vend duhet të bëjë në luftën kundër korrupsionit.

Edi Rama: Epo, lufta që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është e paprecedentë në rajon. Dhe kjo është pikërisht arsyeja përse Shqipëria duhet të konsiderohet një vend kandidat shumë, shumë serioz. Sepse, nëse deri jo shumë kohë më parë Shqipëria paraqitej gjithmonë si një vend ku ishte ngulitur kultura e pandëshkueshmërisë dhe ku korrupsioni ishte vetë sistemi, sot Shqipëria është një vend ku sistemi po lufton fuqishëm korrupsionin. Sa i përket korrupsionit apo mungesës së tij, natyrisht, gjithçka duhet t’i nënshtrohet procesit të rregullt ligjor. Por është shumë e qartë se në Shqipëri nuk ka më askënd mbi ligjin. Dhe kjo është pikërisht arsyeja përse Shqipëria duhet të shihet me një sy shumë pozitiv.

Gazetari: Edhe një pyetje shumë të shkurtër. Do të doja të dija nëse keni ndonjë koment lidhur me njoftimet e Donald Trump për tregtinë, të bëra këtë pasdite.

Edi Rama: Njoftimet e Donald Trump për tregtinë? Nuk kam dijeni për to. Unë di për tregun e përbashkët këtu në Evropë dhe pikërisht këtë po kërkojmë.

Top Channel