Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbërritje në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, kërkoi që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se ky proces është vonuar prej kohësh.
Kurti u shpreh se Kosova pret një diskutim konstruktiv për perspektivën evropiane dhe kërkon njohjen e përparimit të bërë në zhvillimin demokratik, sundimin e ligjit, të drejtat politike dhe luftën kundër korrupsionit.
“Jam shumë i lumtur që jam në Bruksel. Presim një shkëmbim konstruktiv idesh dhe mendimesh për rrugën përpara. Presim statusin e vendit kandidat për vendin tonë. Është vonuar prej kohësh. Kemi dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE dhe jemi i vetmi vend pa statusin e kandidatit. Nuk po kërkojmë favore, por njohjen e përparimit të Kosovës, të zhvillimit demokratik, sundimit të ligjit, të drejtave politike dhe luftës kundër korrupsionit”, tha Kurti.
Kreu i qeverisë së Kosovës e cilësoi marrjen e statusit kandidat si një çështje urgjente, duke kërkuar që Bashkimi Evropian të shfrytëzojë momentin për të avancuar procesin e zgjerimit me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Statusi i vendit kandidat jo vetëm që është shumë i rëndësishëm, por është edhe çështje urgjente. Çdo muaj ka zgjedhje në kontinentin tonë dhe çdo gjë ka rëndësi. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi për zgjerimin me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për t’i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat mbi bazën e meritës, sepse e meritojmë”, u shpreh Kurti.