Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga Bashkimi Evropian një qasje të re ndaj procesit të zgjerimit, duke propozuar përfshirjen e vendeve kandidate në tryezën evropiane, përpara përfundimit të procesit të anëtarësimit.
Në mbërritje në samitin BE-Ballkani Perëndimor, që po zhvillohet në Bruksel, Rama deklaroi se ka ardhur momenti që Bashkimi Evropian të ndërmarrë një hap më të guximshëm drejt integrimit të vendeve që aspirojnë anëtarësimin.
Sipas kryeministrit, një përfshirje më e madhe e vendeve kandidate nuk do të cenonte procesin e anëtarësimit të bazuar në meritë, por do të përçonte një sinjal të fortë politik për qytetarët e këtyre vendeve dhe për botën.
“Sigurisht, ky samit vjetor është ngjarja kryesore e vitit për të gjitha vendet kandidate. Ka rëndësinë e vet edhe për vendet anëtare. Është një moment për një bisedë të hapur dhe shumë konstruktive, për të shkëmbyer përshtypjet e vitit dhe idetë për të ardhmen.
Është e rëndësishme të jemi këtu dhe pikërisht në samitin e këtij viti ka një arsye shumë të mirë për të ecur përpara drejt një integrimi më të madh. Mbetem i bindur se BE-ja duhet të ketë guximin të bëjë një hap të guximshëm përpara, duke sjellë të gjitha vendet kandidate rreth tryezës, pa ndryshuar procesin e bazuar në meritë për secilin vend, por duke u dhënë një sinjal të fortë qytetarëve tanë dhe botës”, tha Rama.
