Agron Shehaj kallëzohet për mashtrim dhe krim kompjuterik, si ia bëri ‘golin’ 300 mijë euro italianit, dyshime për grup kriminal dhe pastrim parash

Investigim

Publikuar: 25/11/2026

Agron Shehaj kallëzohet për mashtrim dhe krim kompjuterik, si ia bëri ‘golin’ 300 mijë euro italianit, dyshime për grup kriminal dhe pastrim parash

Deputeti Agron Shehaj është kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës për mashtrim, zhvatje dhe krim kibernetik. Edhe pse ‘oktapodi’ i call centrave Agron Shehaj është subjekt i SPAK-ut për shkak të statusit të deputetit, ai është kallëzuar në Prokurorinë e Tiranës nga shtetasi italian, Ivo Angelo Monzani, i cili akuzon Shehajn për skemë mashtrimi dhe zhvatje pasurie në bashkëpunim me Lulzim Shehajn dhe Albion Agajn. Në materialin kallëzues, Monzani shpjegon se si Shehaj i ka bërë një ‘gol’ 300 mijë euro përmes një skeme mashtrimi dhe keqpërdorimit të besimit.

Shtetasi italian Ivo Angelo Monzani thekson se është kontaktuar nga Agron Shehaj për shërbime reklamimi në Google, duke i kërkuar të dhënat e kompanive të tij, pasi kompanitë e Shehaj ishin pezulluar për shkelje të kushteve të përdorimin dhe nuk mund të kryenin marketing në emrin e tyre. Ndërkaq, sipas Monzanit faturat e Google ishin rritur 300 mijë euro përtej parashikimit, kosto për të cilën Shehaj i ksihte premtuar se do t’i kthehej.

Shtetasi italian thekson në kallëzim se pasi faturat e Google u rritën në mënyrë të konsiderueshme, përtej buxhetit të parashikuar dhe nga ana e Agron Shehajt i është thënë se kishte ndodhur një “ngatërresë teknike” nga Google që do të kthehej në formën e një rimbursimi prej 300 mijë euro, gjë që sipas tij nuk ka ndodhur kurrë, ai kishte zbuluar se Shehaj i kishte bërë gjëmë pas krahëve.

“Së fundmi, përmes komunikimeve të drejtpërdrejta me përfaqësues të “Google Support” dhe nëpërmjet auditimit të brendshëm të account-eve të mia, kam mësuar se: janë krijuar llogari reklamuese shtesë në emrin e kompanive të mia, pa autorizim nga unë; janë shfrytëzuar kreditë reklamuese dhe mjetet e pagesës të lidhura me kartat e mia bankare për të reklamuar kompani të tjera të palës së dytë në të gjithë territorin italian; janë përdorur të dhëna identifikuese, dokumente dhe emërtime tregtare të kompanive të mia për të krijuar fushata marketingu të cilat nuk kanë asnjë lidhje me aktivitetin tim real. Pasi konstatova abuzimet, kam ndërmarrë menjëherë bllokimin e kredive në Google Ads dhe ndryshimin e kredencialeve, për të parandaluar dëme të mëtejshme. Nga verifikimet e kryera dhe nga analiza e mënyrës së funksionimit të fushatave reklamuese rezulton se të gjitha veprimet e përshkruara janë kryer nga territori i Republikës së Shqipërisë, përmes përdorimit të kompjuterëve, pajisjeve dhe serverëve që ndodhen fizikisht në Shqipëri. Administratorët, ortakët dhe personat përgjegjës të kompanive “Pronto Intervento 24”, “Direct 24”, “LocalWeb” dhe “North Wind” kanë kryer hyrjet dhe ndërhyrjet në llogaritë kompjuterike të kallëzueses duke përdorur adresa IP dhe rrjete interneti të regjistruara në Shqipëri, si dhe përmes pajisjeve kompjuterike që ndodhen në zyrat e tyre në Tiranë“, thuhet në kallëzim.

Në kallëzimin ndaj Agron Shehaj pretendohet gjithashtu se përfitimet ekonomike që rrjedhin nga këto veprime pra telefonatat, klientët dhe të ardhurat e gjeneruara nga marketingu online kanë përfunduar në kompanitë që ushtrojnë aktivitet tregtar në territorin shqiptar, përfshirë subjektet që janë në pronësi ose nën kontrollin e drejtpërdrejtë të personave të kallëzuar. Këto kompani kanë përfituar kontrata dhe të ardhura nga klientë të gjeneruar përmes sistemit të reklamave të paguara nga kallëzuesi, duke e kanalizuar pasurinë e përfituar në mënyrë të padrejtë drejt shoqërive që operojnë në Shqipëri.

“Në këtë mënyrë, pjesa thelbësore e veprës penale – si veprimi (ndërhyrja kompjuterike), mjeti (pajisjet dhe serverët), dhe pasojat (përfitimi ekonomik) – janë zhvilluar brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, duke i dhënë juridiksion të plotë organeve proceduese shqiptare për hetimin dhe ndjekjen penale të kësaj çështjeje, në përputhje me nenin 7 të Kodit Penal, që përcakton zbatimin e ligjit penal shqiptar për veprat e kryera brenda territorit të vendit, si dhe për ato që prodhojnë pasoja brenda tij. Për rrjedhojë, pavarësisht se veprimtaria reklamuese është realizuar përmes platformave ndërkombëtare të Google, veprimet mashtruese, ndërhyrjet kompjuterike, përvetësimi i fondeve dhe menaxhimi i fitimeve janë kryer nga persona fizikë dhe juridikë që veprojnë në Shqipëri, me qëllim përfitimi ekonomik për kompani shqiptare dhe për individë që kanë adresë të njohur në Shqipëri. Kjo e bën çështjen objekt hetimi dhe ndjekjeje nga Prokuroria pranë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurdiskionit të Përgjithshëm“, vijon kallëzimi.

Ndërkaq, në korrik të këtij viti, Agron Shehaj është kallëzuar në SPAK për pastrim parash. Në qendër të kallëzimit është një vilë në Forte dei Marmi. Sipas dokumentit, në deklaratën e pasurisë të vitit 2021, prona është pasqyruar me sipërfaqe 251 metra katrorë dhe vlerë 2.9 milionë euro, ndërsa në vitin 2025 është deklaruar e shitur për 15 milionë euro.

Në deklaratat periodike nuk rezulton i individualizuar një investim prej rreth 4 milionë eurosh, i përmendur publikisht si shpjegim për rindërtimin, zgjerimin dhe rritjen e vlerës së pronës. Dokumentacioni kadastral italian tregon se vila ka sipërfaqe totale 459 metra katrorë, ndryshe nga sipërfaqja prej 251 metrash katrorë e pasqyruar në formularët e deklarimit.

Një tjetër element i ngritur në kallëzim lidhet me pronësinë e vilës. Sipas dokumenteve italiane, Shehaj rezulton se është bërë sërish pronar i saj më 7 korrik 2026, më pak se dhjetë muaj pasi kishte deklaruar shitjen për 15 milionë euro. Kallëzuesi kërkon që të verifikohen kontrata e shitjes, ajo e riblerjes, identiteti i palës tjetër, çmimet reale dhe mënyra e kryerjes së pagesave.

Në kallëzim ngrihen pikëpyetje edhe mbi një sërë të ardhurash dhe transaksionesh milionëshe të deklaruara me përshkrime të përgjithshme, si “të ardhura të tjera”, “të ardhura” ose “shitje asetesh”. Sipas kallëzimit, për shuma që arrijnë në rreth 3.9 milionë euro gjatë viteve 2021–2025 nuk është individualizuar në formularët publikë burimi konkret, subjekti pagues apo marrëdhënia juridike që ka prodhuar pagesën.

Në dokument përmenden gjithashtu një kredi bankare prej 2.6 milionë eurosh, shlyerja e një detyrimi prej më shumë se 3.6 milionë eurosh, huadhënie në vlera milionëshe dhe blerje të reja pasurish në Itali. Kallëzuesi kërkon që këto lëvizje të shqyrtohen së bashku përmes dokumentacionit bankar, tatimor dhe tregtar në Shqipëri dhe Itali.