Gazetari i kronikës së zezë, Artan Hoxha, i ftuar në emisionin “Koha Jonë-Debat” nga Nikoll Lesi, ka rrëfyer një episod të veçantë nga karriera e tij gazetareske, lidhur me publikimin e një fotografie ku shfaqeshin Fatos Nano, Nehat Kulla dhe Feris Kërnaja në burg. Hoxha tregoi se fotografinë e kishte vendosur në kopertinën e revistës, shoqëruar me titullin “Kush e vrau Azem Hajdarin?”, ndërkohë që Fatos Nano ishte kryeministër i vendit. “Vetëm sa miq kanë Nehati dhe Feris Kërnaja, këta t’i marrin nja 10 mijë kopje. Rrite tirazhin, se e ke të garantuar që vetëm fotoja do të shesë”, kujtoi Hoxha.
Sipas gazetarit, ende pa dalë revista në treg, kopertina kishte alarmuar përfaqësuesit e pushtetit të atëhershëm. Informacioni kishte mbërritur deri te drejtuesi i atëhershëm i Shërbimit Informativ, Fatos Klosi. “Informacioni i shkon Fatos Klosit, shefi i shërbimit në atë kohë. Fatos Klosi, me fijet e veta, e bleu gjithë tirazhin”, deklaroi Hoxha. Gazetari tregoi se pavarësisht përpjekjeve për zhdukjen e plotë të botimit, kishte arritur të siguronte dhe të ruante një kopje të revistës.
Rreth dhjetë ditë më vonë, pas një bisede me një koleg, Hoxha kishte arritur ta botonte shkrimin në gazetën “Koha Jonë”, ku kishte ngjallur një interes të jashtëzakonshëm te lexuesit. “E botoi ditën e parë me supertirazh, kishin pasur zero kthime. Ditën e dytë kishin shkruar: ‘E kemi dyfishuar tirazhin sot, ju bëjmë thirrje gazetashitësve mos e shisni me 1 mijë lekë copën, se do ta ribotojmë prapë nesër’”, rrëfeu gazetari.
Hoxha e lidhi këtë episod edhe me rëndësinë e ruajtjes së dokumenteve dhe materialeve gjatë karrierës së tij, duke u ndalur te akuzat me të cilat përballet aktualisht. “Unë mendoj se kam dhe këto më kanë shpëtuar. Plani ka qenë që të isha në burg, të isha i arrestuar. Ky ishte plani i parë dhe nuk jam as i arratisur, se mund të ikësh, po unë s’kam më për çfarë të iki. Prandaj rri këtu dhe bëj luftë”, u shpreh Artan Hoxha.
