Xherdan Shaqiri ka rikthyer kujtimet nga një prej përmbysjeve më të mëdha në historinë e Ligës së Kampionëve, kur Liverpooli e mposhti Barcelonën me rezultat 4-0 në gjysmëfinalen e vitit 2019, duke siguruar kualifikimin në finale.

Edhe pse kishte humbur ndeshjen e parë në “Camp Nou” me rezultat 3-0, Liverpooli arriti të realizonte një përmbysje të jashtëzakonshme në “Anfield”, në një mbrëmje që Shaqiri vazhdon ta kujtojë me emocione të veçanta.


Ish-reprezentuesi zviceran ishte titullar në atë takim dhe kontribuoi drejtpërdrejt në golin e tretë të shënuar nga Georginio Wijnaldum, duke dhënë një asistim të saktë për holandezin.

“Ishte një ditë e jashtëzakonshme që do ta kujtoj gjithmonë. Pasi humbëm 3-0 në Barcelonë, arritëm ta përmbysnim rezultatin me shumë lojtarë që zakonisht ishin në bankën rezervë ose po zëvendësonin futbollistët e lënduar”.

“Ishte një prej përmbysjeve më të mëdha ndonjëherë, jo vetëm për Liverpoolin, por në gjithë historinë e Ligës së Kampionëve”, kujtoi Shaqiri.

Një prej momenteve më ikonike të asaj ndeshjeje ishte këndi i ekzekutuar shpejt nga Trent Alexander-Arnold, që përfundoi me golin e katërt të Divock Orig it, duke e lënë mbrojtjen e Barcelonës të befasuar.

Shaqiri, i cili në atë moment po shkonte drejt flamurit të këndit, zbuloi se gjithçka ndodhi në mënyrë instinktive dhe se nuk kishte pasur ndonjë plan të përgatitur paraprakisht.

“Jo, ishte thjesht instinkt i Arnoldit. Unë vërtet mendova: Në rregull, tani do ta ekzekutoj këndin. Por ai e luajti shpejt, krejt instinktivisht. Papritur e pashë topin në rrjetë”.

Ish-sulmuesi tregoi gjithashtu se besimi në përmbysje ishte i pranishëm edhe në zhveshtoren e Liverpoolit. Pas përfundimit të pjesës së parë me epërsi 2-0, lojtarët ishin të bindur se mund ta realizonin mrekullinë.

“Në pushimin mes pjesëve hymë në zhveshtore dhe thamë: Djema, mund ta bëjmë këtë. Na duhet vetëm edhe një gol dhe pastaj gjithçka është e hapur”.

Ai veçoi edhe atmosferën pas përfundimit të ndeshjes, kur futbollistët dhe tifozët kënduan së bashku himnin “You'll Never Walk Alone”.

“Tifozët ishin shumë të emocionuar, shumë prej tyre kishin lot në sy. Ishte diçka unike. Njerëzit do të flasin për një ndeshje të tillë edhe për shumë vite”./Telegrafi/