Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se zhvlerësimi i euros përballë lekut po i shkakton një goditje të rëndë ekonomisë shqiptare, veçanërisht sektorit të prodhimit, eksporteve dhe investimeve.
Gjatë një tryeze të organizuar për atë që opozita e cilëson si fenomenin e “narko-euros”, Berisha tha se pasojat e parave të krimit në ekonominë shqiptare janë më shkatërrimtare sesa ato të skemave piramidale të viteve ’90.
Duke iu referuar të dhënave të Eurostatit, kreu i PD-së deklaroi se zhvlerësimi i euros dhe dollarit përballë lekut arrin në 33 dhe 35 për qind, shifra që, sipas tij, nuk janë regjistruar as në vendet kryesore prodhuese të lëndëve narkotike.
“Narko-eurot sot kanë efekte më shkatërrimtare sesa piramidat e viteve ’90, efekte dramatike. Asnjë monedhë tjetër në vendet prodhuese kryesore të drogës, Kolumbi e me radhë, në asnjë vend euro nuk ka këtë zhvlerësim. Në Kolumbi është 8%, në Meksikë është 12%, në vendet e tjera luhatet midis këtyre shifrave. Sipas këtij studimi, në Shqipëri arrin në 33 apo 35%”, deklaroi Berisha.
Kreu i demokratëve e lidhi forcimin e lekut me rënien e prodhimit industrial dhe tkurrjen e eksporteve shqiptare. Sipas shifrave të paraqitura prej tij, prodhimi industrial në Shqipëri gjatë pesë viteve të fundit ka rënë me 15.3%, ndërsa eksportet nga viti 2022 deri në vitin 2025 kanë pësuar një rënie prej 28%.
Berisha pretendoi se në ekonominë shqiptare po qarkullojnë sasi të konsiderueshme parash me origjinë kriminale, duke marrë si shembull edhe rastin e parave të zbuluara në Peqin.
“Kjo rënie e euros, rënie nga narko-eurot, nga ato dhomat plot euro që patë në Peqin dhe që këtu në Tiranë janë me qindra të tilla të fshehura në apartamente. Dhe qindra e qindra arka nëntokë dhe kontejnerë nëntokë. Kjo rënie e euros është një taksë e tmerrshme mbi eksportin dhe prodhimin, mbi investimet dhe eksportin”, tha Berisha.
Sipas tij, zhvlerësimi i monedhës evropiane po penalizon veçanërisht eksportuesit shqiptarë, të cilët shpenzimet për paga, lëndë të para dhe detyrime të tjera i kanë në lekë, ndërsa të ardhurat i sigurojnë në euro.
“Çdo investitor që dëshiron të vijë në Shqipëri duhet të llogarisë taksën 30% të zhvlerësimit të parave të tij. Çdo eksportues, i cili të gjitha shpenzimet në Shqipëri i ka në lekë dhe fitimet i ka në euro, duhet të llogarisë se eurot e tij kanë një vlerë 30% më të vogël seç e kishin”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha paralajmëroi se pasojat e këtij fenomeni nuk kufizohen vetëm te humbjet financiare të bizneseve eksportuese, por rrezikojnë të ndryshojnë të gjithë strukturën e ekonomisë shqiptare, duke dobësuar sektorët prodhues dhe penguar industrializimin e vendit.
“Kjo është një goditje e madhe për prodhimin në Shqipëri, për eksportet në Shqipëri, për vetë strukturën e ekonomisë. Ky është një faktor i verbër që, nga njëra anë, godet prodhimin, deindustrializon vendin, ndërpret procesin e industrializimit të vendit”, përfundoi Berisha.
