Liderët e Bashkimit Evropian dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur sot në një samit në Bruksel, i cili shihet si një mundësi tjetër që institucionet e bllokut evropian të riafirmojnë përkushtimin ndaj politikës së dyerve të hapura për vendet e rajonit, nëse ato përparojnë në reformat e nevojshme për t’u afruar me strukturat evropiane.
Mikpritës të këtij takimi janë krerët e institucioneve të BE-së: presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen.
Sipas njoftimeve, në samit do të marrin pjesë liderët e pesë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Samiti mbahet rreth gjashtë muaj pas samitit në Tivat, në Malin e Zi, i cili është vendi me mundësinë më të madhe që të bëhet anëtari i ardhshëm i BE-së. Ky mund të jetë samiti i fundit BE-Ballkani Perëndimor që Mali i Zi merr pjesë si vend kandidat.
Pogdorica po punon në mënyrë intensive për mbylljen e të gjithë kapitujve të negociatave. Vendi shpreson t’i përfundojë negociatat deri në fund të vitit, në mënyrë që gjatë vitit 2028 të bëhet anëtar i BE-së. Sipas vlerësimeve të KE-së, Traktati i Anëtarësimit mund të nënshkruhet në qershor të vitit të ardhshëm, kur Mali i Zi do të marrë statusin e vendit aderues.
Megjithatë, çështjet e hapura me Kroacinë mund të bëhen pengesë për arritjen e këtij synimi. Kroacia, për momentin, po bllokon mbylljen e tre kapitujve në negociatat e anëtarësimit mes Podgoricës dhe Brukselit. Për hapjen dhe mbylljen e çdo kapitulli nevojitet pëlqimi i të gjitha shteteve anëtare të BE-së. Podgorica është gjithashtu nën presionin e kohës, pasi deri në fund të vitit në kalendarin e BE-së kanë mbetur vetëm rreth 20 ditë pune për të arritur synimin e përcaktuar.
Ndërkohë pas Malit të Zi vjen Shqipëria e cila po ecën me hapa të shpejtë drejt BE. Në Samit ndodhet kryeministri Rama.
Rama deklaroi se Shqipëria po punon intensivisht çdo ditë në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe se procesi po ecën sipas planifikimit.
“Ende presim dritën e gjelbër nga Komisioni, sepse, siç e di gjithkush që është i përfshirë në këtë proces, Komisioni duhet gjithmonë të miratojë paraprakisht detyrat që ne kemi për të përgatitur”, u shpreh Rama.
I pyetur nga gazetarët nëse hetimet e SPAK ndaj zyrtarëve të lartë përbëjnë një test për Shqipërinë, kryeministri vlerësoi se lufta kundër korrupsionit që po zhvillohet në vend është e paprecedentë në rajon.
Rama theksoi se Shqipëria ka kaluar nga një realitet ku korrupsioni dhe kultura e pandëshkueshmërisë konsideroheshin probleme sistemike, në një situatë ku vetë institucionet po luftojnë këto fenomene.
“Ajo që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është e paprecedentë në rajon dhe është arsyeja e saktë pse Shqipëria duhet të vlerësohet si një vend kandidat shumë serioz. Nëse deri jo shumë kohë më parë Shqipëria ishte gjithmonë vendi që trajtohej si vendi ku kultura e pandëshkueshmërisë ishte vendosur dhe ku korrupsioni ishte kthyer në sistem, sot Shqipëria është vendi ku sistemi po lufton korrupsionin…Korrupsion apo jo korrupsion, çdo gjë natyrisht duhet të shkojë përmes procesit të duhur, por është shumë e qartë se nuk ka më askënd mbi ligjin në Shqipëri. Kjo është pikërisht arsyeja pse Shqipëria duhet të shihet me një sy pozitiv”, tha Rama.
