Ministri izraelit fyen deputetët arabë: Barbarë dhe kalorës injorantë të deveve
Ministri izraelit i Trashëgimisë, Amichay Eliyahu, ka shkaktuar reagime të ashpra pas deklaratave fyese ndaj qytetarëve arabë, të cilët i quajti “barbarë” dhe “kalorës injorantë të deveve” gjatë një debati në parlamentin izraelit (Knesset).
Gjatë diskutimit për dhunën dhe kriminalitetin në komunitetin arab, ministri i ekstremit të djathtë u përplas verbalisht me deputetët arabë, duke pretenduar se mungesa e arsimimit është shkaku kryesor i problemeve në komunitetet e tyre.
“Steve Jobs ishte fëmijë i adoptuar, ndërsa babai i tij biologjik ishte sirian. Në vend që të rritej si barbar si ju, ai themeloi kompaninë Apple. Kjo nuk është çështje gjenetike apo race, por e arsimimit”, deklaroi Eliyahu.
Më pas, ai vazhdoi me akuza të tjera, duke thënë se arabët duhet të arsimohen jo vetëm në Izrael, por edhe në pjesën tjetër të botës.
“Ju i shkatërruat Kullat Binjake. Po shkatërroni Evropën”, u shpreh ministri, duke iu referuar sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara, raporton timesofisrael.
Kur deputetët arabë e ndërprenë dhe e akuzuan për racizëm, Eliyahu u përgjigj duke u kërkuar të mësojnë nga judaizmi dhe vlerat perëndimore.
Ai i quajti ata “kalorës injorantë të deveve” dhe pretendoi se dhuna në komunitetet arabe lidhet me mungesën e edukimit.
Eliyahu, anëtar i partisë së ekstremit të djathtë Otzma Yehudit, u tha gjithashtu deputetëve se Izraeli do të vazhdojë të kundërpërgjigjet me forcë ndaj çdo sulmi, duke paralajmëruar se reagimi i tij do të jetë shumëfish më i madh.
Ministri ka bërë edhe më herët deklarata ekstreme
Kjo nuk është hera e parë që Eliyahu shkakton polemika me deklaratat e tij. Në nëntor të vitit 2023, ai kishte deklaruar se hedhja e një bombe bërthamore në Rripin e Gazës ishte një mundësi.
Deklarata atëkohë nxiti reagime të shumta, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu e kishte cilësuar atë si të shkëputur nga realiteti.
Ministri ka mbështetur vazhdimisht pushtimin dhe aneksimin e Gazës, si dhe vendosjen e kolonëve izraelitë në këtë territor. Ai ka bërë thirrje edhe për ndërprerjen e furnizimeve me ushqime për banorët palestinezë.
Në një rast tjetër, Eliyahu kishte hyrë në një objekt paraburgimi të ushtrisë izraelite, në shenjë proteste ndaj hetimeve për ushtarët e akuzuar për keqtrajtimin e një të burgosuri palestinez.
Tensione politike rreth përfaqësuesve arabë
Deklaratat e ministrit vijnë në një kohë të tensioneve të shtuara politike mes qeverisë së Benjamin Netanyahut dhe përfaqësuesve arabë në Knesset.
Partitë arabe fituan gjithsej 19 ulëse në zgjedhjet e muajit të kaluar, duke shënuar rezultatin më të lartë të arritur ndonjëherë prej tyre.
Megjithatë, disa përfaqësues të koalicionit qeverisës i kanë akuzuar këto parti se mbështesin terrorizmin.
Të martën, këshilltarja ligjore e Knessetit, Sagit Afik, deklaroi se deputetët mund ta përdorin termin “mbështetës të terrorizmit” ndaj kolegëve të tyre, por paralajmëroi se përsëritja sistematike e kësaj gjuhe, së bashku me fyerjet e tjera, mund të përbëjë shkelje të rregullave parlamentare.
Ndërkohë, deputetët arabë kanë paralajmëruar për rritjen e gjuhës së urrejtjes dhe të sulmeve raciste ndaj komunitetit të tyre në Izrael. /Telegrafi/




























