Pavarësisht reshjeve të shiut dhe kushteve të këqija atmosferike, qytetarët kanë vijuar edhe këtë mbrëmje protestën kundër kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij.

Pasi u mblodhën fillimisht përpara godinës së Kryeministrisë, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e kryeqytetit, duke vijuar qëndresën në ditën e 179-të të saj.

As reshjet e shiut nuk i kanë penguar qytetarët të dalin në rrugët e Tiranës, duke ritheksuar kërkesën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit dhe largimin e qeverisë.

Marshimi i kësaj mbrëmjeje zhvillohet vetëm tri ditë përpara protestës mbarëkombëtare të paralajmëruar për 28 nëntor, ndërsa pjesëmarrësit vijojnë thirrjet për mobilizim sa më të gjerë të qytetarëve nga i gjithë vendi.

Pas afro gjashtë muajsh protestash të përditshme, të rinjtë, studentët dhe qytetarët shprehen të vendosur për të vijuar qëndresën.

Protestuesit e konsiderojnë 28 nëntorin një moment të rëndësishëm për zgjerimin e lëvizjes qytetare në shkallë kombëtare, ndërsa paralajmërojnë se protestat do të vijojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb