“Kujt i thua k*rvë ti?!”/ Sherr për pagesën e udhëtimit, pasagjerja godet me grushte në fytyrë taksistin

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 25.11.2026, 19:37

Një shofer taksie është dhunuar fizikisht nga një pasagjere, pas një konflikti që dyshohet se ka nisur kur kjo e fundit ka tentuar të largohej pa paguar udhëtimin.

Në redaksinë e JOQ Albania kanë mbërritur pamje të filmuara nga një dëshmitar i ngjarjes, i cili tregon se incidenti ka ndodhur më 13 nëntor, gjatë orëve të mbrëmjes.

Në pamje, taksia shihet e ndaluar në rrugë me derën e pasme të hapur, ndërsa pasagjerja qëndron e ulur brenda automjetit. Shoferi, i cili ndodhet jashtë, debaton me të dhe i kërkon të paguajë udhëtimin përpara se të largohet.

Sipas dëshmitarit, gruaja dëshironte të zbriste dhe të largohej pa paguar, ndërsa taksisti nuk e lejonte të largohej pa shlyer më parë detyrimin.

Teksa debati vazhdon, pasagjerja nis ta shtyjë disa herë taksistin.

“Kujt i thua k*rvë ti?!”, dëgjohet t’i drejtohet ajo shoferit me ulërima.

Situata përshkallëzohet kur pasagjerja shpërthen në dhunë fizike, duke e goditur vazhdimisht taksistin me grushte dhe pëllëmbë në fytyrë e në trup. Pavarësisht goditjeve të njëpasnjëshme, shoferi përpiqet të ruajë qetësinë dhe nuk shihet t’i kundërpërgjigjet me dhunë.

Sipas qytetarit që denoncon rastin, konflikti ka zgjatur rreth 10 minuta, gjatë të cilave pasagjerja ka goditur me shkelma edhe derën e automjetit.

Dëshmitari tregon se situata u zgjidh vetëm pasi pranë taksisë u afrua një person me motor, i cili e pyeti shoferin se sa kushtonte udhëtimi. Pasi mësoi se pagesa ishte 10 mijë lekë, ai ia dha shumën taksistit dhe më pas i hapi rrugën pasagjeres që të zbriste. Gruaja u largua pa e paguar vetë udhëtimin.

Qytetari shprehet i indinjuar nga dhuna e ushtruar ndaj shoferit, duke vlerësuar durimin dhe vetëpërmbajtjen e treguar prej tij, pavarësisht agresivitetit të pasagjeres.

Mbetet e paqartë nëse taksisti ka pësuar lëndime që kanë kërkuar ndihmë mjekësore apo nëse e ka denoncuar ngjarjen në polici.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit