Europol dhe Interpol godasin mashtrimin me ushqimet, sekuestrohen produkte me vlerë 79 milionë €

25 Nëntor 2026 | 19:34

Një operacion i gjerë ndërkombëtar kundër mashtrimit me produktet ushqimore ka zbuluar raste të vajit të ullirit të falsifikuar, mjaltit të përzier me shurupe sheqeri, mishit të tregtuar në mënyrë të paligjshme dhe ushqimeve të skaduara që ripaketoheshin për t’u hedhur sërish në treg. Operacioni, i zhvilluar në 57 vende, ka çuar në sekuestrimin e produkteve me vlerë mbi 79 milionë euro dhe arrestimin e 79 personave.

Operacioni i koduar “OPSON XV” u koordinua nga Europol dhe Interpol, me mbështetjen e Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), Komisionit Evropian dhe autoriteteve kombëtare. Ai zgjati gjashtë muaj, nga dhjetori 2025 deri në maj 2026, gjatë të cilëve u kryen 17 071 kontrolle.

Sipas njoftimit të Europol-it, autoritetet sekuestruan 526 328 produkte të falsifikuara, 227 800 litra pije të manipuluara dhe mbi 1.65 milionë kilogramë produkte ushqimore që nuk përmbushnin standardet e kërkuara. Gjithashtu, u çmontuan 18 grupe të organizuara kriminale, ndërsa 428 persona iu referuan autoriteteve gjyqësore.

Vaji i ullirit shitej si produkt premium, mjalti përzihej me shurupe sheqeri

Një nga rastet më të rëndësishme u zbulua në Portugali, ku autoritetet goditën një skemë të dyshuar mashtrimi me vajin e ullirit. Vajrat bimore tregtoheshin në mënyrë të paligjshme si vaj ulliri ekstra i virgjër i cilësisë së lartë, përfshirë edhe përmes rrjeteve sociale.

Gjatë operacionit u sekuestruan 10 000 litra vaj me etiketa të falsifikuara, 340 litra verë likeri të paregjistruar, rreth 200 mijë euro cash, katër armë zjarri dhe municione. Tre persona janë akuzuar, ndërsa hetimet vijojnë nën mbikëqyrjen e autoriteteve gjyqësore.

Në Kanada, autoritetet sekuestruan më shumë se 10 tonë mjaltë të përzier me shurupe sheqeri. Manipulimi u zbulua përmes analizave me rezonancë magnetike bërthamore, një metodë që shqyrton përbërjen molekulare të mjaltit për të verifikuar pastërtinë dhe origjinalitetin e tij.

Ndërkohë, në Brazil u sekuestruan 90 tonë produkte të manipuluara, mes tyre 48 tonë sheqer dhe 42 tonë sojë. Hetimet zbuluan se një pjesë e lëndëve të para ishte zëvendësuar me përbërës të tjerë, duke cenuar cilësinë dhe sigurinë e produkteve.

Mish kali i tregtuar në mënyrë të paligjshme dhe ushqime të skaduara

Në Belgjikë dhe Itali, një hetim i përbashkët zbuloi mashtrime në tregtinë e mishit të kalit. Autoritetet identifikuan pasaporta të falsifikuara për kafshët, mikroçipe të ripërdorura dhe mbetje të barnave veterinare të ndaluara te kuajt që ishin futur në mënyrë të paligjshme në zinxhirin ushqimor.

Në Bullgari, inspektimet në disa ambiente të përpunimit të mishit në Plovdiv zbuluan shkelje të rregullave të higjienës dhe etiketimit. U sekuestruan 35 941 kilogramë produkte pa etiketa të rregullta ose të skaduara, ndërsa 34 763 kilogramë të tjera u urdhëruan të asgjësoheshin.

Në Spanjë, dy persona u arrestuan pasi dyshohet se kishin shitur 227 kilogramë peshk të vjedhur nga fermat e akuakulturës, duke e paraqitur si peshk të kapur në det të hapur. Analizat zbuluan gjithashtu mbetje të substancave farmaceutike në produktet e sekuestruara.

Qindra mijëra produkte të falsifikuara edhe në Turqi

Në Turqi, autoritetet sekuestruan 4 150 litra vaj ulliri të falsifikuar dhe 970 mijë produkte ushqimore të paketuara, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 750 mijë eurosh. Shumë prej tyre ishin të skaduara, të falsifikuara ose me etiketa që nuk pasqyronin përmbajtjen reale.

Në Ekuador u sekuestruan 19 920 njësi pijesh alkoolike që mbanin emrat e markave të njohura, por dyshohej se nuk kishin regjistrimin e nevojshëm shëndetësor për t’u tregtuar ligjërisht.

Ndërsa në Moldavi u sekuestruan mbi 17 280 kilogramë produkte bulmeti, si dhe sasi të mëdha perimesh dhe pijesh alkoolike, për shkak të parregullsive në dokumentacion, etiketimit të falsifikuar dhe datave të skadencës.

Një tjetër rast u zbulua në Mbretërinë e Bashkuar dhe Itali, ku autoritetet identifikuan 90 paleta me verë dhe prosecco të falsifikuar, me vlerë të përllogaritur në afro 600 mijë euro. Analizat laboratorike konfirmuan se shumica e shisheve përmbanin produkte të falsifikuara ose kishin etiketa mashtruese.

Europol paralajmëron se mashtrimi me produktet ushqimore përbën rrezik për shëndetin publik, dëmton besimin e konsumatorëve dhe krijon konkurrencë të pandershme në treg. Hetimet dhe analizimi i të dhënave të mbledhura gjatë operacionit pritet të çojnë në procedime të tjera në muajt në vijim.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Partia e Netanyahu-t kundërshton rezultatet e zgjedhjeve në Izrael, kërkon përsëritjen e votimit në 120 qendra

Partia Likud e kryeministrit në detyrë të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka kundërshtuar zyrtarisht rezultatet e zgjedhjeve, duke kërkuar përsëritjen e votimit në 120 qendra votimi....
18:51 | 25/11/2026

Rrufeja godet aeroplanin e Beshiktashit, duke e detyruar të bëjë ulje emergjente

Ndeshja e Besiktas kundër Hapoel Beer Sheva për javën e 5-të të Fazës së Ligës së Evropës do të zhvillohet për arsye sigurie në Gjeorgji...
18:45 | 25/11/2026

Araghchi: Izraeli po përpiqet të bindë SHBA-në se Irani ka armë kimike

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, akuzoi Izraelin më 25 nëntor se po përpiqet t’i përfshijë Shtetet e Bashkuara në një luftë të re kundër...
18:41 | 25/11/2026