Gazetari Artan Hoxha, i ftuar mbrëmjen e kësaj të mërkurë në emisionin “Koha Jonë-Debat” nga Nikoll Lesi, ka bërë deklarata të forta lidhur me takimet e zhvilluara në Aruba, ndërtimin e kullave në Tiranë dhe ndërthurjen e interesave të politikës, biznesit dhe krimit të organizuar. Hoxha deklaroi se takimi i parë në Aruba kishte në fokus ndërtimin e dy kullave pas stadiumit kombëtar, me një investim të parashikuar prej rreth 100 milionë eurosh secila.
“Takimi i parë i Arubës është për kullat që do të ndërtoheshin mbrapa stadiumit. Do të bëheshin dy kulla, nga 100 milionë euro në investim, se në vlerë pastaj shkonte shumë herë më tepër”, u shpreh Hoxha.
Sipas gazetarit, një prej personave që zotëronte një pjesë të konsiderueshme të tokës kishte paguar 12 milionë euro për sigurimin e lejes së ndërtimit, por projekti nuk ishte realizuar për shkak të përplasjes së interesave. “Ai ka paguar aty 12 milionë euro vetëm që të dilte leja dhe nuk e nxori dot lejen. Sepse një më i fuqishëm se ai, që kishte lidhje me kryeministrin, tha: ‘O e marrim një kullë ne dhe një kullë ata, ose nuk ndërtohet fare’”, deklaroi gazetari.
Hoxha pretendoi se në total ishin zhvilluar pesë takime në Aruba, ndërsa mohoi që në takimin për të cilin po fliste të kishte marrë pjesë ndonjë ministër shqiptar. Gjatë intervistës, Hoxha zbuloi gjithashtu se në tetor të vitit 2024, ndërsa ndodhej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ishte kontaktuar nga një ministër i qeverisë Rama, i cili e kishte paralajmëruar për arrestimin e mundshëm.
”Kur kam zbritur në New York, më ka marrë një ministër i qeverisë Rama. Më ka thënë: ”Kodi yt është zbuluar, do të arrestohesh. Mundohu të rrish andej”. Unë i thashë: ”Unë e di se çfarë kam bërë dhe do të kthehem””, rrëfeu Hoxha. Pavarësisht këmbënguljes së Lesit, gazetari nuk pranoi të zbulonte identitetin e ministrit, duke deklaruar se bëhej fjalë për një figurë të rëndësishme të qeverisë.
Hoxha ngriti akuza edhe për mënyrën sesi sektori i ndërtimit në Shqipëri është shndërruar në një mekanizëm për pastrimin dhe shumëfishimin e parave me origjinë kriminale. ”Problemi që na krijoi Edi Rama është që ata që ne dikur i njihnim si banditë, i ktheu në biznesmenë. Ata sot janë biznesmenë dhe janë biznesmenë të fuqishëm”, deklaroi Hoxha.
