Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i bëri thirrje Komisionit Europian dhe institucioneve ndërkombëtare që të analizojnë situatën ekonomike dhe financiare në Shqipëri, duke paralajmëruar se fenomeni i “Narko-euros” përbën një rrezik që shtrihet përtej kufijve të vendit.
Në tryezën e organizuar në selinë blu me temë “Narko-Euro: pasojat për xhepat e shqiptarëve”, Berisha deklaroi se flukset e dyshuara të parave të krimit dhe zhvlerësimi i euros po godasin prodhimin, eksportet dhe ekonominë shqiptare, ndërsa paralajmëroi se një situatë e tillë përbën kërcënim edhe për rajonin dhe Bashkimin Europian.
Berisha kritikoi Bankën e Shqipërisë dhe institucionet përgjegjëse për luftën kundër pastrimit të parave, duke i akuzuar për mosreagim ndaj fenomenit.
Sipas tij, në Shqipëri qarkullojnë 18 deri në 24 miliardë euro para të krimit, të cilat ai i cilësoi si një rrezik me potencial të jashtëzakonshëm.
Berisha: Çfarë ka ndodhur?
Pas vitit 2022 kur kartelet e drogës të kokainës të Shqipërisë u vërsulën me miliarda euro drejt vendit, euro theu qafën dhe sot e kemi 99 lekë apo 90 lekë.
Pra vetë banka përgënjeshtron veten, turpërohet dhe nuk thotë të vërtetën. Nuk thotë të vërtetën në një kohë kur me mijëra ndërmarrje eksporti falimentojnë.
Unë u them ju, se ndërmarrjet e eksportit, pavarësisht se eksportet nuk kanë qenë në nivelet që do të donim, por ato punësonin nga Pogoni gjer në Vermosh, dhjetëra mijëra fermerë të cilët mblidhnin çdo gjë të eksportueshme.
Nga bimët aromatike tek gurët e kromit apo të hekurit apo të bakrit, të cilat kanë një zhvlerësim tani prej 30% për shkak të kontejnerëve të çunave që futen dhe shkatërrojnë tregun si një fuqi e verbër natyrore.
E vërteta është që institucionet e Bretton Woods, institucione të mrekullueshme me një ekspertizë të jashtëzakonshme që kanë ndihmuar Shqipërinë që nga vitet '90 e në vazhdim, fatkeqësisht heshtin. Heshtin.
Nuk kam lexuar raportet e FMN-së që citoi Enoja, në të cilin në njërin prej tyre shprehen se leku është vlerësuar me 48% dhe në tjetrin leku është vlerësuar me 12%. Një gjë është e sigurt, po spekuloj, por po.
Leku sot në tregun shqiptar, jo 12, por 30-40% më i pavlefshëm sesa ç'ishte 15 vite më parë, apo 10 vite më parë. Pra në një anë raporti nga narko-eurot, ai u bë superlek, tejkaloi çdo monedhë tjetër përfshi frangun e Zvicrës, koronën e Norvegjisë dhe me radhë.
Kurse këtu brenda fuqia e tij blerëse është një lek i rreckosur, është 30-40% më e ulët sesa ishte. Problemi bëhet më i rëndë sepse injorohet. Injorohet nga banka, injorohet nga institucioni i cili ka detyrë kryesore luftën kundër larjes së parave.
Injorohet nga narkoprokuroria e cila po të shihni konfiskimet e pronave të krimit janë ndër më qesharaket. Por ky studim jep argumente të plotë mbi shkaqet e vërteta të zhvlerësimit dramatik të euros dhe dollarit në Shqipëri.
Ftoj në veçanti institucionet Bretton Woods të cilët thashë kanë një histori shumë të suksesshme bashkëpunimi me Shqipërinë, po kanë edhe histori me probleme në këtë bashkëpunim.
Miqësisht u them atyre se nuk duhet të përsëritet në qëndrimin ndaj narkoeurove, qëndrimi ndaj piramidave. Nuk duhet përsëritur. Në raste e piramidave ato nuk u vlerësuan, sigurisht ne bëmë të gjitha përgjegjësitë, por në fakt ne nuk i njihnim, po ata që i njihnin patën mendime të gabuara për to.
Edhe sot Shqipëria ka nevojë për zërin e tyre, Shqipëria ka nevojë për ndërhyrjen e tyre, sepse ky faktor po bëhet shkatërrimtar për qenien tonë kombëtare, po shpopullon Shqipërinë në mënyrën më të paparë ndonjëherë në histori.
I bëj thirrje Komisionit Europian të mos dëgjojë burokratët të cilët edhe para 8 muajve në mbledhje sulmonin Sali Berishën se flet për narkoshtet dhe narkoeuro.
Të analizojë gjendjen në Shqipëri, se një narkoshtet është rrezik i madh edhe për rajonin edhe për Bashkimin Europian.
Nuk janë pak 18 apo 24 miliardë para krimi. Kanë potencial të jashtëzakonshëm. Dhe përshëndes qëndrimin e Partisë Popullore e cila pasi solli një mision fact-finding (faktmbledhës), konkludoi në një rezolutë për shqetësimin, rrezikun e vërtetë të narkoeurove.
Ju falënderoj për vëmendjen dhe u zgjatëm pak, por tema është jashtëzakonisht shqetësuese dhe ju ftoj të kontribuoni me diskutimet, komentet tuaja për këtë çështje kaq thelbësore për ekonominë tonë.
© SYRI.net
Berisha: Narko-eurot, toksina më e rrezikshme... E para që duhet t'u binte zileve të alarmit duhet të ishte BSH
Tryeza për narko-euron/ Berisha: Kjo rënie e euros është një taksë e tmerrshme mbi eksportin dhe prodhimin
‘Narko-Euro’/ Bozdo: Pas rënies së euros fshihen ndërtimi, paratë që hyjnë dhe përgjegjësia e qeverisë