Rama tani po ushtron kompetencat e drejtorit të burgut Fier
Plaren Ndreca i kërkon ndihmë Avokatit të Popullit dhe Prokurorise se Fierit që t’i mundësojnë takim me klientin Erion Veliaj
Avokati i Erion Veliajt, Plarent Ndreca, ka denoncuar sërish pengesat që, sipas tij, po i bëhen për të takuar klientin e tij në burgun e Fierit.
Përmes një deklarate publike, Ndreca bën të ditur se prej orës 16:50 ndodhet në pritje, por nuk po i mundësohet hyrja në institucionin penitenciar për të zhvilluar takimin me kryebashkiakun e Tiranës.
Avokati pretendon se kjo praktikë bie ndesh me legjislacionin në fuqi, duke iu referuar nenit 51 të ligjit nr. 81/2020, i cili, sipas tij, garanton të drejtën e të dënuarit për t’u takuar me avokatin në çdo kohë. Ai përmend gjithashtu nenet 11 dhe 12 të ligjit për profesionin e avokatit, që garantojnë komunikimin me klientin në çdo fazë të procedimit penal, pa pasur nevojë për autorizim të posaçëm.
“Që nga ora 16:50. Një tjetër rrugë boshe. Vijon saga e moslejimit tim për të hyrë në burgun e Fierit për të takuar klientin tim, Erion Veliaj”, shkruan Ndreca.
Më tej, avokati e cilëson situatën si të papranueshme, duke pretenduar se burgu i Fierit po funksionon jashtë rregullave të një institucioni shtetëror.
“Por, me sa duket, burgu i Fierit nuk funksionon më si institucion shtetëror, por si burg privat”, shprehet ai.
Ndreca ngre akuza ndaj drejtuesit të institucionit, duke e bërë atë personalisht përgjegjës për shkeljet që pretendon se po kryhen dhe duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse.
Në fund të deklaratës, ai i drejtohet publikisht Avokatit të Popullit, prokurorëve të çështjes dhe Prokurorisë së Fierit, duke kërkuar që secili të veprojë brenda kompetencave të veta ligjore për t’i dhënë fund situatës.
“I bëj thirrje publike Avokatit të Popullit, prokurorëve të çështjes, si dhe Prokurorisë së Fierit, të ndërhyjnë menjëherë, secili në ushtrim të kompetencave të veta ligjore, për t’i dhënë fund kësaj situate skandaloze, që mendonim se e kishim lënë pas më shumë se 30 vjet më parë”, përfundon Ndreca.
Deklarata e avokatit Plarent Ndreca
Që nga ora 16:50. Një tjetër rrugë boshe. Vijon saga e moslejimit tim për të hyrë në burgun e Fierit për të takuar klientin tim, Erion Veliaj.
Neni 51 i ligjit nr. 81/2020 garanton të drejtën e takimit me avokatin në çdo kohë. Nenet 11 dhe 12 të ligjit për profesionin e avokatit garantojnë takimin me klientin në çdo fazë të procedimit penal, pa autorizim të posaçëm.
Por, me sa duket, burgu i Fierit nuk funksionon më si institucion shtetëror, por si burg privat.
Një hall të madh duhet të ketë drejtori i këtij burgu, që këmbëngul kokëfortësisht të shkelë sistematikisht ligjin dhe Kushtetutën, duke marrë përsipër edhe përgjegjësinë personale për këto shkelje.
I bëj thirrje publike Avokatit të Popullit, prokurorëve të çështjes, si dhe Prokurorisë së Fierit, të ndërhyjnë menjëherë, secili në ushtrim të kompetencave të veta ligjore, për t’i dhënë fund kësaj situate skandaloze, që mendonim se e kishim lënë pas më shumë se 30 vjet më parë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



