Puthjet në buzë ndezin sherrin në “Për’puthen”/ Era çohet për të goditur Grein, Sotiri përplaset me Xhastinin Bashkëshortja e aktorit dhe komedianit britanik Russell Brand, Laura, ka marrë për herë të parë tre fëmijët e tyre për ta vizituar në burg, ku ai ndodhet që prej 9 nëntorit.
Sipas gazetës britanike “The Mirror”, 39-vjeçarja mbërriti në burgun HMP Littlehey, në Cambridgeshire, së bashku me tre fëmijët, të moshës 10, 8 dhe 3 vjeç.
Ajo u fotografua duke mbajtur në krahë fëmijën më të vogël, ndërsa dy të tjerët hynë në ambientet e burgut të shoqëruar nga truproja e Brand, Joe McCann, dhe një grua tjetër.
Familja mbërriti rreth orës 13:50 me një automjet Land Rover Defender. Fillimisht u drejtua në qendrën e vizitorëve dhe dhjetë minuta më vonë, hyri në ambientet e burgut.
Kjo ishte hera e parë që Brand takonte fëmijët që prej momentit kur u dërgua në burg më 9 nëntor. Bashkëshortja e tij, Laura, ka deklaruar vazhdimisht se do të qëndrojë në krah të të shoqit, duke e cilësuar veten si një bashkëshorte besnike, pavarësisht dënimit dhe akuzave të rënda ndaj tij.
Kjo ishte vizita e dytë e saj në burg. Javën e kaluar, ajo e kishte vizituar Brandin për rreth dy orë, në takimin e parë mes çiftit pas burgosjes së tij.
Sipas “The Mirror”, Brand nuk është pritur me entuziazëm nga të burgosurit e tjerë dhe po e ka të vështirë të krijojë marrëdhënie me ta.
“Ai hyri në Littlehey duke menduar se do të ishte në qendër të vëmendjes, por realiteti nuk mund të ishte më ndryshe”, ka thënë një burim për gazetën.

“Burgu është gjithmonë një sfidë, por burgu pa asnjë lloj lidhjeje me dikë është dhjetë herë më i vështirë. Ai nuk është pritur si një personazh i famshëm dhe të burgosurit e tjerë nuk kanë asnjë interes të shoqërohen me të”, ka shtuar burimi.
Sipas burimit, Brand ha vetëm dhe kalon pjesën më të madhe të kohës në qelinë e tij, duke lexuar libra dhe dëgjuar radion. Ai përpiqet të përshtatet me jetën pas hekurave, ku fama e dikurshme nuk duket se i sjell ndonjë privilegj në marrëdhëniet me të burgosurit e tjerë.
Një tjetër detaj që ka tërhequr vëmendjen është përpjekja e Brand për të siguruar një punë brenda burgut. Sipas The “Mirror”, ish-ylli i kinemasë, i cili dikur paguhej deri në 12 milionë paund për një film, ka aplikuar për një vend pune si pastrues.
Puna paguhet rreth 20 paund në javë dhe do t’i mundësonte të siguronte disa të ardhura personale, përfshirë para për të telefonuar familjen.
Brand u dënua pasi u shpall fajtor për përdhunimin e një fanseje dhe sulmet seksuale ndaj tri punonjëseve të televizionit dhe radios, për vepra të kryera gjatë periudhës 2004–2009.
Sipas raportimit të gazetës britanike, ai pritet të vuajë dy të tretat e dënimit prej 10 vitesh përpara se të lirohet me kusht. Ndërkohë, bashkëshortja Laura vijon ta mbështesë dhe të ruajë kontaktet me të gjatë qëndrimit në burg.
Top Channel