Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar në Portin e Durrësit 54 tonë mish pule nga Brazili, të importuara nga kompania “Zico” e Trifon Muratajt, për shkak të mospërputhjeve në dokumentacion. Kompania, e njohur për tregtimin e bananeve me markën “Bana King”, ka qenë më herët në fokus të hetimeve për sasitë e kokainës të zbuluara në ngarkesat e saj…
Pas tonelatave të kokainës në banane, Trifon Murataj i “Bana King” i është futur biznesit të mishit.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i ka bllokuar në Portin e Durrësit plot 54 tonë mish pule dhe është marrë vendimi për kthimin e tyre në vendin e origjinës, në Brazil.
Vendimi për kthimin në vendin e origjinës së këtyre dy ngarkesave të importuara nga subjekti ZICO sh.a. i Trifon Muratajt është marrë pasi ka rezultuar se të dhënat e certifikatave shoqëruese nuk përkojnë me të dhënat në sistem.
Nga 3 shtatori, në Shqipëri është ndaluar futja e mishit nga Brazili. BE-ja ka ndaluar importin nga ky shtet dhe Shqipëria i është bashkuar këtij zhvillimi. Por, si duket, Trifoni ka menduar se do të ndodhë e njëjta gjë si me bananet.
Në arkat me banane që Trifoni sillte nga Amerika Latine u kapën disa herë sasi të mëdha kokaine. Por edhe pse provat ishin sheshit, ai ia hodhi paq
Pak kohë më parë, Prokuroria e Durrësit pushoi hetimet ndaj tij. Në Portin e Durrësit, policia zhvilloi disa aksione, pasi në kontejnerët e bananeve të kompanisë “Zico” të Trifon Muratajt u kapën sasi të mëdha kokaine. Dosja më pas u mor nga SPAK-u, por në prapaskenë dosja shkoi në Prokurorinë e Durrësit, e cila ka pushuar hetimet dhe këtë e ka vulosur në gjykatë.
Për herë të parë, emri i Trifon Muratajt u përmend më 30 dhjetor 2021, kur në magazinat e kompanisë “Zico” (Bana King) u kapën 119 kg kokainë. Ai nuk u arrestua; përkundrazi, jetonte lirshëm, drekonte e darkonte me zyrtarë të lartë policie dhe prokurorë, ndërsa nipi dhe shoferi i tij u përdorën për fasadë dhe më pas u liruan.
Më 17 korrik 2022, nga kontejneri i “Bana King” u zhdukën 50 arka me afro 1,5 tonë kokainë; më 4 nëntor 2022 u kapën 35,5 kg; më 8 dhjetor 2023, 1 ton u lejua të dilte pa kontroll. Megjithatë, Murataj nuk u arrestua asnjëherë dhe aktiviteti i tij nuk u bllokua.




























