E mërkurë, 25 nëntor 2026 · Tiranë Facebook
Moti

Nesër reshje intensive shiu në vend, IGJEO paralajmëron rrezik për përmbytje në 7 qarqe

Moti pritet të përkeqësohet të enjten e 26 nëntorit, me reshje intensive shiu që mund të shkaktojnë përmbytje në shtatë qarqe të vendit.

Në buletinin e sotëm mbi rreziqet natyrore, Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO) paralajmëron se në zonat urbane të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Në Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër rrezikohet gjithashtu të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje dherash.

Reshjet intensive pritet të shtojnë edhe prurjet në lumenjtë Drin-Bunë, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.

Reshjet më intensive në Shkodër

Shkodra pritet të jetë qarku me reshjet më intensive, ndërsa në Kukës, Dibër dhe Lezhë parashikohen reshje intensive deri lokalisht shumë intensive. Në Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje intensive, ndërsa në Elbasan dhe Fier reshjet do të jenë mesatare deri lokalisht intensive. Në të gjitha qarqet reshjet pritet të shoqërohen me shtrëngata.

Ndërkohë, gjatë pasdites së sotme priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare në Shkodër dhe Kukës, të shoqëruara me shtrëngata. Në pjesën tjetër të vendit reshjet do të jenë të dobëta.

Erë e fortë në bregdet

Përveç reshjeve të shiut, të enjten pritet edhe forcim i erës, veçanërisht në bregdet, ku do të fryjë e fortë deri shumë e fortë. Temperaturat do të luhaten nga 11 deri në 17 gradë Celsius në bregdet, nga 12 deri në 18 gradë në zonat e ulëta dhe nga 3 deri në 13 gradë në zonat malore.

Parashikimi i IGJEO-s përfshin periudhën deri në mesnatën e 26 nëntorit.

Të fundit

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *