Regjisorja shqiptare Nika Fehmiu është në regjinë e filmit “Between Us and the River”, ku në rolin kryesor vjen aktorja Sara Boustany, e cila ka tërhequr vëmendje të madhe mediatike pas suksesit të serialit të Netflix-it, “The Body”.

Filmi sjell një bashkëpunim interesant edhe në aspektin e produksionit, pasi producente do të jetë Quinn Shephard, e njohur si regjisorja e serialit “The Body”, i cili ka shënuar sukses të madh në Netflix dhe është renditur në vendin e parë në listën e serialeve më të shikuara në SHBA, vetëm pak javë pas debutimit.


Siç raportoi Deadline, ky projekt shënon debutimin e regjisores Fehmiu në filmin e një metrazhi të gjatë, derisa xhirimet thuhet se tashmë kanë përfunduar.

Ngjarjet në film zhvillohen në vitin 2005, në sfondin e Luftës në Irak. Filmi ndjek historinë e një studenteje me origjinë irakiano-amerikane, e cila është brezi i parë i familjes së saj i lindur në Amerikë, dhe që ëndërron të bëhet valltare.

Ajo krijon një lidhje me një bashkëstudent me origjinë meksikano-amerikane, por një zbulim tronditës i detyron të dy të përballen me dhimbjen e humbjes, identitetin e tyre dhe mënyrat shkatërruese se si lufta ka ndikuar në jetën e tyre.

Skenari është shkruar gjithashtu nga Nika Fehmiu në bashkëpunim me Nadia Al Sultani, autore irakiano-amerikane e librit “Baghdad Stories”.

Në rolet kryesore paraqiten Sara Boustany dhe Alejandro Akara, i njohur nga seriali “Landman”. Pjesë e kastit janë gjithashtu Amélie Hoeferle nga “Sterling Point” Sarah Himadeh (“The Last of Us”), Laughton Royce (“Clean Hands”) dhe Sean Luc Rogers (“Clarkston” në Echo Theatre Company).

Quinn Shephard ka marrë përsipër produksionin përmes kompanisë së saj, Ingénue, së bashku me Nuer Taqa dhe Zoey Pressey nga Radiance Pictures, Matt Cappetta nga Planet 9 Films, si dhe vetë regjisoren Fehmiu përmes kompanisë North Wind Films. Për përzgjedhjen e aktorëve është kujdesur fituesja e çmimit Emmy, Julie Schubert, e njohur për punën në serialin “House of Cards”.

Seriali “The Body”, i publikuar në fillim të këtij muaji, është një tjetër projekt i Quinn Shephard. Ngjarjet zhvillohen në fillim të viteve 2000, në një shkollë katolike, ku një grup vajzash që janë pjesë e ekipit të vallëzimit përballen me një situatë të pazakontë pasi një iniciim i ekipit përfundon në mënyrë të tmerrshme. Kjo ngjarje shkakton vizione profetike dhe histeri masive në komunitetin ku jetojnë.