Policia e Korçës ka zbardhur rrethanat e ngjarjes ku mbeti i plagosur me mjet prerës 30-vjeçari Anxhelo Brisku.
Burime bëjnë me dije se pasditen e sotme është shoqëruar në komisariat 35-vjeçari me iniciale I.M., i dyshuar si autor i plagosjes.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka ndodhur në një lokal në fshatin Zvezdë të Maliqit. Mësohet se 30-vjeçari Anxhelo Brisku ka hyrë në lokal duke u prezantuar si punonjës policie dhe më pas ka goditur me sende të forta 35-vjeçarin I.M.
Ky i fundit ka reaguar duke e goditur Briskun me një mjet të mprehtë, duke e lënë të plagosur.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim edhe 30-vjeçarin Anxhelo Brisku, pasi dyshohet se ka dhënë deklarim të rremë lidhur me ngjarjen dhe vendin ku ajo ka ndodhur. Fillimisht, ai kishte pretenduar se ishte sulmuar nga disa persona teksa po ecte në rrugë, në fshatin Neviçisht.
Gjithashtu, në kërkim është shpallur edhe një 30-vjeçar tjetër, i cili dyshohet për veprën penale të moskallëzimit të krimit, pasi ka qenë dëshmitar i ngjarjes.
Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përfshirjen e personave të tjerë në këtë ngjarje.
Top Channel