Makina del nga rruga dhe përfundon në kanal, humb jetën 67-vjeçari në Dimal Të dënuarit me burgim dhe të paraburgosurit mund të kenë të drejtën të zgjedhin vetë mjekun apo institucionin shëndetësor ku dëshirojnë të vizitohen, me kusht që të mbulojnë shpenzimet mjekësore dhe kostot e tjera që rrjedhin nga zgjedhja e tyre.
Ky është propozimi i deputetes së Partisë Socialiste, Enriketa Jaho, e cila ka depozituar më 19 nëntor në Kuvend një projektligj për ndryshimin e ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
Nisma, e protokolluar me numrin 6597, parashikon riformulimin e nenit 41 të ligjit dhe transferimin e përgjegjësisë për kujdesin shëndetësor të të burgosurve nga sistemi penitenciar te strukturat në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Sipas projektligjit, personat e privuar nga liria do të përfshihen në kategorinë e personave ekonomikisht joaktivë, duke përfituar pa pagesë shërbimet e mbuluara nga skema e sigurimeve shëndetësore.
Një nga parashikimet e pikës 4 të nenit të riformuluar është e drejta e të burgosurve për të zgjedhur mjekun ose institucionin shëndetësor brenda vendit, kundrejt mbulimit të shpenzimeve prej tyre.
Për të dënuarit në institucionet e sigurisë së lartë, ushtrimi i kësaj të drejte do të bëhet vetëm pas vlerësimit të rrezikshmërisë së tyre.
Ndërsa për personat e vendosur në regjimin e posaçëm, sipas nenit 17 të ligjit, kjo e drejtë nuk do të zbatohet, përveç rasteve kur shërbimi i kërkuar nuk ofrohet nga strukturat shëndetësore të burgjeve dhe institucionet spitalore.
Projektligji përcakton gjithashtu detyrimin e personelit mjekësor për të vizituar pa vonesa të burgosurit e sëmurë, në varësi të urgjencës dhe nevojave të tyre shëndetësore. Kërkesa për vizitë mund të paraqitet me shkrim ose verbalisht.
Kujdesi shëndetësor kalon në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë
Sipas relacionit shoqërues, qëllimi i nismës është integrimi i shërbimit shëndetësor të burgjeve në sistemin publik shëndetësor, duke garantuar standarde të barabarta kujdesi për të burgosurit dhe pjesën tjetër të popullsisë.
Rregullat e hollësishme për organizimin dhe funksionimin e këtij shërbimi, si dhe për skemën e sigurimeve shëndetësore të të burgosurve, do të përcaktohen me urdhër të ministrit përgjegjës për shëndetësinë.
Sipas relacionit, projektligji nuk parashikon kosto shtesë për buxhetin e shtetit, por transferimin e përgjegjësive administrative dhe rishpërndarjen e fondeve ekzistuese ndërmjet institucioneve përgjegjëse.

Top Channel