Banorët e Strugës do ta nisin vitin e ri me fatura më të larta për ujin, pasi autoritetet lokale parashikojnë rritje deri në 12%. Për bizneset vendore, fatura e janarit do të rritet me 11%.
Shtrenjtimet do të vijojnë edhe në vitet pasuese: në vitin 2028, tarifat do të rriten me 4% për individët dhe 3% për personat juridikë, ndërsa në vitin 2029 rritja do të jetë 4% për individët dhe 6% për personat juridikë. Sipas Ujësjellësit, një familje që deri më tani paguante 700 denarë për ujë dhe kanalizime, pas rritjes do të paguajë 780 denarë.
Të lidhura
None found
Drejtori i Ujësjellësit dhe Kanalizimit në Strugë, Jovanço Meçkaroski, tha se rritja do të jetë e kufizuar dhe brenda kufijve të përcaktuar nga Komisioni Rregullator. Ai sqaroi se ndërmarrja nuk vendos vetë për çmimet, por dorëzon planin e biznesit dhe kostot e llogaritura për vitet e mëparshme, ndërsa Komisioni përcakton tarifat minimale dhe maksimale që duhen zbatuar gjatë tre viteve të ardhshme.
Lidhja Shqiptare kërkon që Komuna dhe Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” të sqarojnë fillimisht se kur qytetarët e Strugës do të kenë furnizim të rregullt me ujë të pijshëm të sigurt dhe kur do të zgjidhen problemet me burimet ujore.







