Të paktën 30 persona kanë humbur jetën dhe 15 të tjerë janë plagosur pas shpërthimit të një kamioni-cisternë me produkte nafte në një autostradë në rajonin e Gizës, pranë Kajros, në Egjipt.
Sipas agjencisë Reuters, që citon Ministrinë egjiptiane të Shëndetësisë, cisterna u përmbys në lëvizje dhe shpërthimi shkaktoi një zjarr të fuqishëm, i cili u përhap me shpejtësi edhe në automjetet që ndodheshin pranë saj.
Aksidenti ndodhi në zonën Al Waraq, mbi Tunelin 10 të Unazës së Kajros, në një zonë me popullsi të dendur. Pamjet nga vendngjarja tregojnë flakët e mëdha dhe përmasat e dëmeve të shkaktuara nga zjarri.
Terrifying scenes emerge from Cairo’s Ring Road, Egypt, after a truck carrying petroleum products overturned while turning, triggering a massive explosion and fire that spread to several nearby vehicles. The death toll has now risen to more than 30, according to the Health Ministry.
— Weather Monitor (@WeatherMonitors) November 25, 2026
Menjëherë pas ngjarjes u angazhuan forcat zjarrfikëse, Mbrojtja Civile dhe shërbimet e emergjencës. Ministria e Shëndetësisë mobilizoi 39 ambulanca për transportimin e viktimave dhe dhënien e ndihmës së parë.
Të plagosurit u dërguan në tre spitale të zonës për trajtim mjekësor. Ministri i Shëndetësisë, Khaled Abdel Ghaffar, urdhëroi që spitalet përreth të kalonin në gatishmëri të lartë për t’iu përgjigjur situatës.
Në operacionin e ndihmës u përfshi edhe Gjysmëhëna e Kuqe Egjiptiane, ndërsa Ministritë e Shëndetësisë dhe Solidaritetit Social po ndjekin zhvillimet. Forcat e Mbrojtjes Civile arritën ta vinin zjarrin nën kontroll.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Autoritetet po hetojnë rrethanat në të cilat drejtuesi i cisternës humbi kontrollin dhe automjeti u përmbys. Deri tani nuk është bërë i ditur as numri i saktë i automjeteve të përfshira nga flakët.

