Një studente 18-vjeçare u gjet e vdekur në apartamentin në Bolonja ku banonte me një moshatare. Ngjarja ka tronditur qytetin italian.
Viktima, Elisa Turrini, ishte nga Riva del Garda, në rajonin e Trentino-s. Dyshimet paraprake janë se ajo ndërroi jetë gjatë gjumit, ndoshta për shkak të një problemi të papritur shëndetësor.
Të lidhura
None found
Elisa ishte vendosur së fundmi në Bolonja për të studiuar në Fakultetin e Farmacisë të Universitetit Alma Mater Studiorum. Më 24 dhjetor ajo do të festonte 19-vjetorin e lindjes.
Shoqja me të cilën ndante apartamentin e gjeti pa jetë gjatë natës mes të hënës, 23 nëntor, dhe të martës, 24 nëntor. Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë, por nuk mundën ta shpëtonin.
Sipas të dhënave të para, mbrëmjen para se të ndërronte jetë, 18-vjeçarja u kishte thënë disa shoqeve se kishte dhimbje të forta barku. Për këtë arsye, kishte shkuar të flinte më herët se zakonisht.
Shkaku i saktë i vdekjes nuk dihet ende. Paraprakisht dyshohet se Elisa mund të ketë pësuar një problem shëndetësor teksa flinte.
Prokuroria ka kërkuar kryerjen e autopsisë, e cila, sipas raportimeve, pritet të zhvillohet deri të enjten, më 26 nëntor. Informacionet paraprake nuk tregojnë se studentja kishte kërkuar më parë ndihmë në institucionet shëndetësore për shqetësimet e papritura.
Lajmi i vdekjes së Elisës ka sjellë trishtim edhe në vendlindjen e saj. Vetëm pak muaj më parë, ajo kishte përfunduar gjimnazin Maffei në Riva del Garda.
Në kujtim të saj, shkolla e mesme mbajti një minutë heshtje para fillimit të mësimit. Autoritetet italiane presin përgjigjet e autopsisë për të përcaktuar rrethanat e sakta të vdekjes së 18-vjeçares.








