Ardian Ismajli e ka përfunduar me sukses ndërhyrjen kirurgjikale në dorën e djathtë, ka njoftuar klubi i tij, Torino.

Reprezentuesi i Shqipërisë iu nënshtrua operacionit në Torino, pas lëndimit që pësoi në ndeshjen e fundjavës së kaluar kundër Napolit.


Ismajli u dëmtua në përballjen e zhvilluar të shtunën, ku Torino u mposht me rezultat minimal 1-0 nga skuadra napolitane, në kuadër të xhiros së 12-të të Serie A.

Megjithatë, problemi në dorë nuk është dëmtimi i vetëm i mbrojtësit shqiptar. Ai po përballet edhe me një lëndim në muskujt e kofshës së majtë, që pritet ta mbajë jashtë fushave për rreth një muaj.

Mungesa e Ismajlit është një goditje për Torinon, pasi 30-vjeçari ka qenë një prej futbollistëve të rëndësishëm të skuadrës në këtë edicion.

Deri më tani, ai ka regjistruar 13 paraqitje në të gjitha garat. /Telegrafi/