I dënuar për përdhunim dhe sulme seksuale, Russell Brand pret në burg bashkëshorten dhe tre fëmijët në vizitën e parë familjare Thomas Markle, babai i dukeshës së Sussex-it, Meghan Markle, pritet të transferohet në Kaliforni për t’u përballur me akuzat zyrtare për posedim të materialeve që përmbajnë imazhe të abuzimit seksual me fëmijë.
Vendimi është marrë nga një gjykatë në SHBA, pasi një juri e madhe federale në bregun perëndimor i hapi rrugë ndjekjes penale të 82-vjeçarit, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim në Florida.
Sipas dokumenteve të siguruara nga agjencia e lajmeve “Press Association”, transferimi i tij drejt juridiksionit ku janë ngritur akuzat është urdhëruar të mërkurën nga gjyqtarja federale Lindsay Griffin.
Markle pritet të paraqitet në javët e ardhshme përpara një gjyqtari në Los Angeles, ku do t’i komunikohen akuzat dhe do t’i kërkohet të deklarohet lidhur me to.
Sipas aktakuzës së miratuar nga juria federale, Thomas Markle dyshohet se më 30 tetor dhe 4 nëntor të këtij viti ka poseduar me vetëdije filma fotografikë negativë 35-milimetërsh që përmbanin materiale pornografike me të mitur.
Në dokumentet gjyqësore thuhet se materialet përfshinin imazhe të një fëmije para pubertetit dhe të një të mituri që nuk kishte mbushur ende 12 vjeç. Ai përballet me dy akuza për posedim të këtyre materialeve. Nëse shpallet fajtor, mund të dënohet deri në 20 vite burg për secilën akuzë, pra deri në 40 vite në total.

Thomas Markle u arrestua më 6 nëntor nga agjentët e FBI-së, pasi autoritetet sekuestruan një sasi materialesh në dy magazina në Los Angeles, të cilat ai i kishte marrë me qira për gati dy dekada.
Hetimi nisi pasi djali i tij, Thomas Markle Jr, e raportoi në polici në Filipine dhe në FBI muajin e kaluar. Sipas raportimeve, Markle Jr kishte gjetur imazhe të paligjshme mes sendeve personale të të atit në qytetin Cebu të Filipineve. Ai gjithashtu i tha gazetës The Sun se kishte njoftuar autoritetet për magazinat në Los Angeles.
Pas arrestimit, Thomas Markle u lirua fillimisht me kusht, por u ndalua sërish vetëm pak ditë më vonë, pasi kishte hequr pajisjen elektronike të monitorimit. Gjatë një interviste, ai pretendoi se nuk i kuptonte akuzat dhe mohoi posedimin e materialeve të tilla, duke deklaruar:
“Nuk kam asnjë pornografi me fëmijë” dhe “nuk kam fotografi të fëmijëve të zhveshur”.
Zyra e prokurorit federal për distriktin qendror të Kalifornisë theksoi se:
“Çdo i pandehur prezumohet i pafajshëm derisa dhe nëse nuk shpallet fajtor nga gjykata”.
Akuzat ndaj Thomas Markle kanë rikthyer vëmendjen te marrëdhënia e tij e tensionuar me vajzën, Meghan Markle, me të cilën prej kohësh nuk ka komunikim. Dukesha e Sussex-it është shprehur më parë se ishte “thellësisht e shqetësuar” nga akuzat ndaj të atit.
Ajo kishte zbuluar gjithashtu se në vitin 2019 kishte marrë një letër përmes Policisë Metropolitane të Londrës dhe strukturës së posaçme për mbrojtjen e familjes mbretërore, ku përfshiheshin “akuza shqetësuese dhe tronditëse” lidhur me të atin. Në atë kohë, Meghan kishte marrë garanci se pretendimet po hetoheshin.
Top Channel