Deputetja e pavarur, Marjana Koçeku ka deklaruar se brenda grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka deputetë të pakënaqur me situatën aktuale, madje edhe nga ata që po mendojnë largimin nga radhët e mazhorancës.
E pyetur nëse kryeministri Edi Rama vijon të ketë nën kontroll të gjithë deputetët socialistë, Koçeku tha se pakënaqësitë ekzistojnë, por ato nuk kanë vlerë politike nëse nuk shoqërohen me vendime dhe veprime konkrete.
“Ka deputetë që mendojnë largimin dhe kanë pakënaqësi brenda vetes, por nëse kjo nuk përkthehet në një veprim të mirëfilltë politik, nuk ka vlerë”, u shpreh deputetja.
Në një kohë kur përplasjet brenda Partisë Socialiste kanë dalë në publik, Koçeku shprehu pritshmëritë për shkëputje të tjera nga grupi parlamentar socialist. Sipas saj, largimi i deputetëve të pakënaqur nga radhët e mazhorancës do të përbënte edhe një formë mbështetjeje për protestat qytetare që vijojnë prej muajsh kundër qeverisë Rama.
“Shpresoj që të ketë shkëputje dhe kjo është gjëja më e mirë për të përkrahur protestën dhe për t’i hapur rrugë një procesi demokratik”, deklaroi Koçeku.
Deputetja nuk përmendi emra konkretë të socialistëve që po mendojnë largimin, por nënvizoi se prova e vërtetë e pakënaqësive brenda mazhorancës do të jenë veprimet politike dhe jo deklaratat apo rezervat e shprehura privatisht.






