Goditet rrjeti i trafikut në Nigeri, arrestohen 5 meksikanë, sekuestrohet mbi 1.5 ton metamfetaminë me vlerë 226 milionë dollarë
Autoritetet nigeriane kanë njoftuar goditjen e një laboratori klandestin të prodhimit të drogave sintetike në juglindje të vendit, ku u arrestuan pesë shtetas meksikanë dhe u sekuestrua një sasi metamfetamine me vlerë të vlerësuar mbi 220 milionë dollarë.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Zbatimit të Ligjit kundër Drogave (NDLA) në Nigeri, pesë ekspertët meksikanë dyshohet se ishin rekrutuar nga një shtetas nigerian për të ngritur dhe drejtuar fabrikën e drogës në shtetin juglindor të Enugu-t.
“Një total prej 1,512 kilogramësh metamfetaminë, e përfunduar dhe në prodhim, me një vlerë të vlerësuar prej 226.8 milionë dollarësh u gjet në fabrikën klandestine”, deklaroi zëdhënësi i NDLA-së, Femi Babafemi.
Hetimet zbuluan se autoritetet e imigracionit në Nigeri u kishin refuzuar fillimisht hyrjen të dyshuarve në muajin gusht. Megjithatë, ata arritën të hynin sërish në territorin nigerian në shtator përmes Beninit fqinj, duke përdorur pasaporta të falsifikuara. Menjëherë pas kësaj, shërbimet e sigurisë i vunë nën mbikëqyrje, duke gjurmuar lëvizjet e tyre deri më 11 nëntor, kur u ndërmor operacioni i arrestimit brenda laboratorit në Enugu, si dhe prangosja e një shtetasi nigerian në një hotel aty pranë.
Ky nuk është rasti i parë i përfshirjes së shtetasve meksikanë në trafikun e drogës në Nigeri; në muajin maj, autoritetet arrestuan 10 persona, përfshirë tre meksikanë, në një tjetër operacion kundër metamfetaminës në jugperëndim të vendit.
Pse kartelet meksikane po zhvendosin prodhimin në Afrikë?
Rastet e përsëritura të arrestimeve në Nigeri dhe në Afrikën e Jugut kanë rritur shqetësimet e ekspertëve të sigurisë se kartelet e fuqishme meksikane po e shfrytëzojnë kontinentin afrikan si bazë të re për prodhimin dhe trafikimin ndërkombëtar të narkotikëve.
Sipas Vanda Felbab-Brown, eksperte në Institutin Brookings në Uashington, organizata të njohura kriminale si Sinaloa Cartel dhe Cartel de Jalisco Nueva Generación (CJNG) kanë zgjeruar operacionet e tyre jashtë Amerikës Latine. Në një dëshmi të dhënë në qershor përpara Grupit të Senatit të SHBA-së për Kontrollin Ndërkombëtar të Narkotikëve, ajo shpjegoi se kartelet gjejnë “partnerë të dëshirueshëm” për prodhim në vende si Afrika e Jugut dhe Kenia për shkak të faktorëve të tillë si “kapacitetet e kufizuara të zbatimit të ligjit dhe rrjetet e ngulitura kriminale dhe të korruptuara”.
Nga ana tjetër, Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC) vëren se rrjetet kriminale përfitojnë nga gjeografia e rajonit të Afrikës Perëndimore dhe Qendrore.
“Shumë vende në rajon kanë territor të gjerë dhe kufijtë ndodhen ose në zona shumë të largëta ose me popullsi të dendur, duke i bërë kështu aktivitetet e zbatimit të ligjit veçanërisht të vështira për t’u kryer në një mënyrë efikase”, thekson raporti i OKB-së, duke shtuar se “natyra poroze e kufijve në Afrikën Perëndimore dhe Qendrore është një faktor kryesor i pasigurisë: kufijtë nuk janë as të shënuar dhe as të kontrolluar mjaftueshëm”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





