Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e ftuar në emisionin “Prime News24” në News24, ka komentuar deklaratat e ambasadorit amerikan Eric Wendt gjatë vizitës në SPAK, duke i cilësuar ato si një mesazh të qartë dhe një shtysë për institucionet e drejtësisë që të veprojnë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sipas Koçekut, mesazhi i diplomatit amerikan duhet të pasohet nga rezultate konkrete të SPAK-ut, jo vetëm përmes hetimeve, por edhe me arrestime dhe kërkesa për heqje imuniteti, aty ku provohet se ka përgjegjësi ligjore.
“Ambasadori Wendt dha një mesazh të qartë dhe i dha një shtysë SPAK-ut që të godasë trekëndëshin politikë, oligarki dhe krim i organizuar, si dhe të demonstrojë jo vetëm me hetime, por edhe me arrestime dhe heqje imuniteti aty ku duhet. Qëndron më së miri në linjë me fjalën dhe betimin që bëri dhe është ajo që i duhet krizës politike që po ndodh në vendin tonë, por edhe drejtësisë”, u shpreh Koçeku.
Ajo vlerësoi se deklaratat e ambasadorit amerikan përbëjnë gjithashtu një mbështetje të rëndësishme për protestat dhe një mesazh për të adresuar vonesat dhe mungesën e koordinimit mes institucioneve të drejtësisë dhe zhvillimeve në terren.
Deputetja foli edhe për takimet e saj me përfaqësuesit ndërkombëtarë, duke i konsideruar ato të rëndësishme për të përcjellë drejtpërdrejt problematikat që shqetësojnë qytetarët shqiptarë. Sipas saj, diplomatët nuk duhet ta marrin informacionin për situatën në vend vetëm përmes disa personave, por duhet të dëgjojnë edhe perspektiva të tjera.
“Sa u përket takimeve të mia me ndërkombëtarët, i konsideroj të rëndësishme edhe në rang personal, sepse mendoj se shpeshherë përfaqësuesit diplomatikë në vendin tonë e kanë marrë të vërtetën apo interpretimin përmes disa personave. Për mua është e rëndësishme të jap perspektivën time dhe të jem sa më e vërtetë në paraqitjen e problematikave të qytetarëve”, deklaroi ajo.
Koçeku theksoi se shqetësimet e qytetarëve nuk janë çështje private, por problematika që prekin të gjithë shoqërinë, duke përmendur mungesën e meritokracisë dhe pengesat në rrugën e integrimit evropian.
“E vërteta nuk është private, është ajo që na shqetëson të gjithëve si qytetarë të Republikës dhe ajo që thonë edhe protestuesit: mungesa e meritokracisë, pengesat që na janë bërë barrë në rrugën drejt integrimit evropian. Është shumë e lehtë të evidentohen problematikat”, përfundoi deputetja e pavarur.
