Ambasadorja e Kosovës në Suedi, Shkëndije Geci-Sherifi, ka pritur në një takim studiuesin shqiptar të historisë, Dritëro Ferri, i cili është doktorant në Universitetin e Helsinkit në Finlandë dhe ka një angazhim të gjerë në fushën e kërkimeve akademike, shkruan Telegrafi.

Në një njoftim të Ambasadës së Kosovës në Stokholm bëhet e ditur se takimi është zhvilluar gjatë javës së kaluar, ndërsa Ferri i është bashkuar edhe Rrjetit të Profesionistëve të Ambasadës.


Kjo nismë synon të afrojë profesionistë, studiues dhe ekspertë nga diaspora shqiptare, duke krijuar mundësi për shkëmbimin e përvojave, bashkëpunimin dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet Kosovës dhe vendeve ku ata jetojnë e veprojnë.

Ambasada ka vlerësuar angazhimin e profesionistëve të diasporës, duke theksuar se vazhdon të punojë për ndërtimin e një rrjeti aktiv që vë në shërbim të vendit dijen, përvojën dhe potencialin e tyre.

Kush është Dritëro Ferri?

Ferri është i specializuar në histori dhe studime të Evropës Lindore, ndërsa interesi i tij kryesor kërkimor është historia shqiptare, të cilën e trajton në kuadër të zhvillimeve më të gjera historike dhe politike të rajonit.

Hulumtimet e tij akademike përfshijnë, ndër të tjera, marrëdhëniet e Shqipërisë me Lidhjen e Kombeve gjatë viteve 1921–1923.

Studiuesi shqiptar ka prezantuar punën e tij në konferenca shkencore ndërkombëtare, si dhe ka kontribuar në projekte kërkimore dhe botime akademike.

Përmes angazhimit të tij akademik dhe publik, ai ka trajtuar gjithashtu çështje që lidhen me historinë e Kosovës, zhvillimet në rajon dhe kujtesën historike.

Përveç angazhimit shkencor dhe përvojës ndërkombëtare, Ferri zotëron gjashtë gjuhë – shqipen, anglishten, suedishten, frëngjishten, italishten dhe finlandishten – duke ndërtuar një profil të veçantë akademik dhe profesional në diasporën shqiptare./Telegrafi/