SHBA nxjerr tarifa të reja tregtare ndaj një sërë vendesh, përfshirë Kinën dhe BE-në
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar vendosjen e një vale të re tarifash doganore, ndërsa presidenti Donald Trump vijon zbatimin e politikës së tij kryesore tregtare. Taksat e reja mbi mallrat e importuara në Amerikë pritet të godasin disa nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të vendit, përfshirë Kinën, Bashkimin Evropian dhe 12 juridiksione të tjera.
Ky vendim vjen pas hetimeve të nisura nga Shtëpia e Bardhë në muajin mars mbi praktikat tregtare të vendeve të tjera, pasi Gjykata e Lartë e SHBA-së i shpalli të paligjshme tarifat e mëparshme të shpallura nga Trump.
Sipas njoftimit të ri, Kina do të përballet me normën më të lartë prej deri në 40%, e ndjekur nga Vietnami me deri në 35%, ndërsa vendet e tjera do të përballen me tarifa prej 20% ose 25%.
Përveç Kinës dhe BE-së, masat prekin edhe Singaporin, Zvicrën, Indonezinë, Malajzinë, Kamboxhian, Tajlandën, Korenë, Tajvanin, Bangladeshin, Japoninë dhe Indinë. Këto detyrime të reja, të cilat në praktikë mund të ulen për shkak të kufizimeve të dakorduara më parë, nuk pritet të hyjnë në fuqi para vitit të ardhshëm.
Përfaqësuesi Tregtar i SHBA-së, Jamieson Greer, deklaroi se tarifat e fundit synojnë të barazojnë kushtet e konkurrencës për punëtorët amerikanë dhe të krijojnë një kurs më të qëndrueshëm për ekonominë botërore.
Ai akuzoi partnerët tregtarë se prej dekadash kanë ndjekur strategji industriale që shtrembërojnë tregun dhe dëmtojnë bazën prodhuese amerikane. Nga ana tjetër, Trump mbron këto masa me argumentin se ato nxisin prodhimin vendas, hapin vende pune dhe ulin deficitin tregtar, pavarësisht rezultatit të dobët të republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit.
Megjithatë, ekonomistët paralajmërojnë se tarifat mund të nxisin inflacionin, të rrisin çmimet për konsumatorët dhe të ngadalësojnë tregtinë globale. Kryeekonomisti për Amerikën e Veriut në Capital Economics, Stephen Brown, vlerësoi se njoftimi i fundit nuk është aq alarmues sa duket, pasi këto taksa në thelb zëvendësojnë tarifat e shpallura gjatë verës dhe shumë mallra janë të përjashtuara prej tyre, duke sjellë një rritje të vogël të çmimeve.
Ky zhvillim pritet të rrisë tensionet mes SHBA-së dhe Kinës, dy ekonomive më të mëdha në botë, të cilat mbeten të përfshira në mosmarrëveshje tregtare dhe në garën për inteligjencën artificiale.
Pavarësisht takimit të javës së kaluar mes Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping, palët nuk dhanë asnjë njoftim për armëpushimin tregtar, i cili skadon më 10 janar. Ndërkohë, Komisioni Evropian i hodhi poshtë tarifat e reja amerikane, duke paralajmëruar se do të hetojë arsyet e vendosjes së tyre dhe duke kujtuar se tarifat janë të kufizuara në nivelin 15% të rënë dakord më parë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




