Përfundon kriza e pengjeve në Kartagjenë, forcat speciale kolumbiane lirojnë 76 persona pas 17 orësh ankth në supermarket, vritet një nga autorët
Forcat speciale të policisë dhe ushtrisë kolumbiane kanë përfunduar me sukses operacionin për shpëtimin e 76 personave, të cilët u mbajtën peng për rreth 17 orë brenda një supermarketi të rrjetit Éxito në Kartagjenë, qytetin e njohur turistik në bregdetin e Karaibeve të Kolumbisë.
Lajmi u konfirmua herët të mërkurën nga presidenti kolumbian, Abelardo de la Espriella, i cili u shfaq përkrah komandantëve të lartë ushtarakë jashtë godinës së supermarketit në lagjen La Castellana.
“Në një operacion të jashtëzakonshëm të përbashkët nga policia kombëtare dhe ushtria, të gjithë pengjet u shpëtuan”, deklaroi kreu i shtetit në një mesazh video në platformën X.
Dinamika e ngjarjes dhe ndërhyrja e forcave speciale
Ngjarja nisi rreth orës 08:00 të mëngjesit të së martës, pas një përpjekjeje të dështuar për grabitjen e një furgoni të blinduar. Pasi kamerat e sigurisë pikasën sulmuesit dhe policia rrethoi zonën, personat e armatosur u futën me forcë brenda supermarketit për të siguruar një rrugë arratisjeje, duke marrë peng punonjësit dhe klientët që ndodheshin aty. Ndonëse fillimisht u vlerësua se numri i pengjeve ishte rreth 30 dhe më pas mbi 50, bilanci përfundimtar pas çlirimit konfirmoi 76 persona të mbajtur peng.
Gjatë orëve të gjata të rrethimit, ku në ndërtesat përreth u pozicionuan edhe snajperët e policisë, autorët kërkuan gati 2 milionë dollarë dhe automjete të blinduara në këmbim të lirimit të njerëzve. Pas orësh negociatash të pasuksesshme, presidenti autorizoi ndërhyrjen e forcave speciale, të cilat përdorën granata tymuese për të neutralizuar sulmuesit. Gjatë bastisjes u dëgjuan disa shpërthime, ndërsa operacioni u mbyll me vrasjen e njërit prej pengmarrësve dhe arrestimin e katër të tjerëve.
“Një nga kriminelët u vra. Atyre iu dha mundësia të dorëzoheshin dhe të lironin pengjet, por ata refuzuan, kështu që ne ndërmorëm veprime vendimtare”, u shpreh De la Espriella.
Autoritetet kanë përjashtuar çdo motiv politik apo lidhje me grupet rebele dhe terroriste që kanë kryer sulme të tjera së fundmi në vend, duke i cilësuar autorët thjesht si kriminelë ordinerë.
Dëshmia e të mbijetuarve
Një prej personave të shpëtuar, bukëpjekësi Héctor Cuello, tregoi për stacionin radiofonik La FM momentet e tensionit brenda dyqanit, ku sulmuesit u kishin drejtuar armët me gishtat në këmbëz, duke kërcënuar se do të qëllonin.
“Ishte një situatë jashtëzakonisht e tensionuar sepse na kapën, na hodhën përtokë dhe na lidhën”, rrëfeu Cuello. Ai shtoi se me kalimin e orëve sjellja e tyre ndryshoi disi: “Më vonë, na zgjidhën, na ulën në karrige dhe dërguan dikë të merrte ilaçe, pije energjike dhe elektrolite. Ata sollën edhe rum, e pinë dhe madje na ofruan edhe neve.”
Për shkak të gjendjes së alarmit në qytetin me një milion banorë, aeroporti i Kartagjenës pezulloi përkohësisht fluturimet gjatë ditës së martë, për t’iu rikthyer gradualisht normalitetit pas përfundimit të krizës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



