Një rrjet ndërkombëtar i trafikut të kokainës, i lidhur me disa klane të mafies kalabreze ‘Ndrangheta’, është goditur nga autoritetet italiane. Në kuadër të operacionit janë arrestuar 33 persona, ndërsa hetimet kanë zbuluar dërgesa të mëdha kokaine, me sasi që arrinin deri në 1.5 tonë.
Sipas hetuesve, organizata kriminale vepronte në Kalabri dhe në Italinë Qendrore. Një rol të rëndësishëm në zbardhjen e aktivitetit të saj kanë luajtur komunikimet e koduara përmes platformës SkyECC, ku dokumentoheshin dërgesa kokaine nga 1 deri në 1.5 tonë. Pastërtia e lëndës narkotike arrinte deri në 94%.
Rrjeti kishte një strukturë të mirëorganizuar, me persona të angazhuar në faza të ndryshme të aktivitetit kriminal, nga nxjerrja e drogës nga deti dhe transporti ajror, deri te përpunimi i kokainës dhe pastrimi i parave. Në këtë skemë përfshiheshin edhe ndërmjetës kinezë që vepronin në Romë.
Hetimet zbuluan gjithashtu se organizata dispononte laboratorë për përpunimin e drogës, automjete të modifikuara dhe kompani fiktive, të përdorura për të mbuluar dhe mbështetur aktivitetin e paligjshëm.
Anëtarët e rrjetit dyshohet se kishin në dispozicion edhe armë të rënda, përfshirë pushkë automatike të tipit kallashnikov dhe eksplozivë. Përveç trafikut të drogës, aktiviteti i tyre shtrihej edhe në trafikun e armëve dhe sigurimin e mbështetjes logjistike për personat në kërkim.
Hetuesit kanë nënvizuar rëndësinë e zbërthimit të komunikimeve të enkriptuara për goditjen e organizatave ndërkombëtare të trafikut të drogës. Sipas tyre, përdorimi i sistemeve gjithnjë e më të sofistikuara të enkriptimit mund t’i bëjë më të vështira hetimet e ardhshme për importimin e sasive të mëdha të kokainës nga organizatat mafioze.

