Gjyqtarët që drejtojnë procesin e gjatë gjyqësor për korrupsionin ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu thanë të mërkurën se prokurorja e përgjithshme duhet të shqyrtojë mundësinë e mbylljes së njërës prej tri çështjeve kundër tij, në të cilën ai akuzohet për ryshfet.
Gjyqtarët, të cilët në fund do të vendosin për fatin e zotit Netanyahu, vunë gjithashtu në pikëpyetje nëse ishte kryer ndonjë vepër penale në një tjetër çështje. Ky qëndrim përbën një goditje për prokurorët e shtetit dhe forcon pozitat e zotit Netanyahu në një gjyq që zgjat prej gjashtë vitesh dhe ka ndarë vendin.
Prokurorja e përgjithshme e vendit, Gali Baharav-Miara, u thirr të merrte pjesë në seancën e së mërkurës në Gjykatën e Qarkut të Jerusalemit. Ajo është i vetmi autoritet që ka kompetencën të vendosë nëse çështjet duhet të vazhdojnë apo jo.
Sipas një transkripti të vënë në dispozicion nga një zëdhënëse e Ministrisë së Drejtësisë, zonja Baharav-Miara i tha gjykatës se ajo dhe ekipi i saj do t’i shqyrtonin sugjerimet e gjyqtarëve dhe se ishte e hapur ndaj të gjitha mundësive, bazuar në provat.
Netanyahu u akuzua zyrtarisht në vitin 2019 për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit në tri çështje të veçanta, por të ndërlidhura. Ato lidhen me pretendimet se ai u kishte ofruar favore rregullatore dhe mbështetje diplomatike biznesmenëve të fuqishëm, në këmbim të dhuratave dhe pasqyrimit mediatik pozitiv për të dhe familjen e tij.
Kryeministri me mandatin më të gjatë në historinë e Izraelit, Netanyahu, një politikan konservator, ka mohuar çdo shkelje, duke pretenduar se është viktimë e një gjuetie shtrigash nga një shtet i thellë liberal. Ai dhe mbështetësit e tij kanë këmbëngulur prej kohësh se çështjet do të rrëzoheshin në gjykatë.
“Sot, gjyqi ka rënë”, tha Netanyahu në një deklaratë televizive disa orë pas seancës së së mërkurës, duke shtuar se ai “duhet të përfundojë menjëherë”.
“U deshën 10 vjet që kjo e vërtetë t’u zbulohej të gjithëve”, tha ai, duke iu referuar fillimit të hetimit për veprimtarinë e tij një dekadë më parë. Ai i përshkroi komentet e gjyqtarëve të së mërkurës si “një rreze të së vërtetës dhe drejtësisë”.
Komentet e gjyqtarëve vijnë në një moment të tensionuar politik për Izraelin. Zgjedhjet parlamentare të muajit të kaluar e lanë zotin Netanyahu duke luftuar për të ardhmen e tij politike, pasi ai dhe aleatët e tij nuk arritën të siguronin shumicën e vendeve në Parlament. Rivali i tij kryesor politik, Gadi Eisenkot, ish-shef i ushtrisë dhe politikan i qendrës, ka marrë nga presidenti i Izraelit mundësinë e parë për të provuar formimin e një qeverie të re.
Akuza zyrtare dhe gjyqi ndaj zotit Netanyahu shkaktuan vite të tëra paqëndrueshmërie politike, pasi shumica e partive kryesore refuzuan të merrnin pjesë në koalicionet qeverisëse me të, duke argumentuar se ai nuk ishte i përshtatshëm për të mbajtur detyrën.
Netanyahu përfundoi dëshminë e tij në gjyq në muajin qershor, duke bërë që gjyqtarët të shqyrtonin ecurinë dhe gjendjen aktuale të procesit, thanë ata.
Gjyqtarët theksuan se komentet e tyre bazoheshin në përshtypjet e krijuara nga çështjet dhe nuk përbënin një vendim gjyqësor.
Ata thanë se do të ishte e vështirë të provoheshin akuzat për ryshfet dhe konflikt interesi në çështjen e njohur si “4000”, që përfshin një manjat të sektorit të telekomunikacionit. Ai akuzohet se i kishte lejuar zotit Netanyahu dhe bashkëpunëtorëve të tij të ndikonin në pasqyrimin e lajmeve në një faqe interneti që ai zotëronte, me shpresën se Netanyahu do ta ndihmonte në interesa të ndryshme biznesi.
Sipas gjyqtarëve, mundësitë për një dënim në këtë çështje ishin të ulëta.
Në një çështje tjetër, që lidhet me një marrëveshje të dyshuar të fshehtë mes zotit Netanyahu dhe pronarit të një gazete të përditshme me tirazh të lartë, e cila nuk u realizua kurrë, gjyqtarët thanë se provat e paraqitura u krijonin dyshime serioze nëse ishte kryer ndonjë vepër penale.
Gjyqtarët thanë se ishte e mundur të shkohej drejt përfundimit të procesit në çështjen e tretë, në të cilën Netanyahu akuzohet për mashtrim dhe shkelje të besimit.
Prokurorët thanë se ai kishte pranuar dhurata të paligjshme me vlerë gati 300 mijë dollarë, përfshirë puro dhe shampanjë, gjatë periudhës 2007-2016, nga producenti i filmave Arnon Milchan dhe miliarderi australian James Packer. Sipas prokurorëve, në këmbim, Netanyahu ishte përpjekur të ndihmonte në zgjatjen e një përjashtimi nga taksat për zotin Milchan dhe të përdorte ndikimin e tij për ta ndihmuar atë të rinovonte vizën amerikane.
Prokurorja e përgjithshme, zonja Baharav-Miara, tha se mundësitë në këtë çështje ishin një vendim gjyqësor ose një marrëveshje pranimi fajësie.
Një vit më parë, Netanyahu i kërkoi zyrtarisht falje presidentit të Izraelit, Isaac Herzog, me mbështetjen e presidentit Trump. Në vend të kësaj, Herzog ofroi të niste një proces ndërmjetësimi për të arritur një marrëveshje pranimi fajësie.
Prokurorja e përgjithshme shprehu gatishmërinë për bisedime. Përfaqësuesit e zotit Netanyahu nuk iu përgjigjën ofertës së zotit Herzog, ka deklaruar presidenti.
https://www.nytimes.com/2026/11/25/world/middleeast/judges-israel-corruption-case-netanyahu.html