Çitaku mirëpret gatishmërinë e BE-së për konsultime për Ligjin për Specialen: Jemi gati
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, e ka mirëpritur gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t'u konsultuar me autoritetet e Kosovës për çdo nismë të re që synon ndryshimin e legjislacionit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Pas përgjigjes së BE-së për Kallxo.com, ku është kërkuar konsultim për çdo nismë të re ligjore që prek Dhomat e Specializuara, Çitaku e ka cilësuar këtë zhvillim si “lajm të mirë”, duke ftuar përfaqësuesit e Bashkimit Evropian që të marrin pjesë në konsultimet e paralajmëruara për të enjten.
Përmes një postimi në Facebook, më 25 nëntor, ajo ka thënë se PDK-ja është e gatshme të nisë konsultimet për procesin e amendamentimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara.
“E mirëpres gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’u konsultuar me ne në procesin e amendamentimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ky është një lajm i mirë. I ftoj që nesër të vijnë në konsultime. Ne jemi gati”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se synimi i kësaj nisme është garantimi i drejtësisë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, duke kërkuar një proces të drejtë dhe të paanshëm.
“E gjithë ajo që kërkojmë përmes këtij procesi është drejtësi. Një proces i drejtë, i paanshëm, në të cilin respektohen parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut”, ka potencuar ajo.
Reagimi i Çitakut vjen pasi Bashkimi Evropian, në një përgjigje për Kallxo.com, ka bërë të ditur se pret të konsultohet me autoritetet e Kosovës për çdo nismë të re që ndryshon legjislacionin për Dhomat e Specializuara, duke iu referuar shkëmbimit të letrave të vitit 2014 ndërmjet Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe presidentit të Kosovës.
“Në frymën e shkëmbimit të letrave të vitit 2014 ndërmjet Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe presidentit të Kosovës, presim që të konsultohemi për çdo nismë të re që ndryshon legjislacionin”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së për Kallxo.com.
BE-ja ka bërë të ditur gjithashtu se po e përcjell nga afër njoftimin e autoriteteve të Kosovës për mundësinë e përgatitjes së një projektligji të ri për Dhomat e Specializuara.
Në përgjigjen e saj, BE-ja ka rikujtuar se Dhomat e Specializuara janë institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar me vendimet e Kuvendit të Kosovës në vitet 2014-2015, që funksionon në kuadër të sistemit juridik të Kosovës dhe është i përfshirë në Kushtetutën e vendit.
“Mandati aktual dhe pavarësia e tyre duhet të respektohen plotësisht dhe pa asnjë rezervë”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së.
Po ashtu, Bashkimi Evropian ka theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e viktimave dhe dëshmitarëve.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ende nuk ka vendosur nëse do ta rrëzojë apo jo veton e presidentes Justina Shiroka-Pula për Ligjin për Dhomat e Specializuara. Çështja është proceduar për shqyrtim në seancë plenare dhe është përfshirë në rendin e ditës, por votimi është shtyrë pa u caktuar një datë e re.
Në anën tjetër, pas marrëveshjes ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe ushtrueses së detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, është paralajmëruar përgatitja e një nisme të re ligjore për të njëjtën çështje, e cila pritet të procedohet gjatë kësaj jave.
E pyetur nga Kallxo.com për dallimet ndërmjet ligjit të kthyer nga presidentja dhe projektligjit të ri, Çitaku ka thënë se nuk mund të japë detaje për përmbajtjen, pasi dokumenti është duke u përgatitur nga një grup ekspertësh vendorë dhe ndërkombëtarë.
“Unë nuk mund të flas për përmbajtjen e ligjit pasi që, siç e thashë, ky nuk është më ligj i PDK-së, por është ligj që po përgatitet nga ekspertë të shumtë vendorë e ndërkombëtarë”, ka deklaruar ajo.
Megjithatë, Çitaku ka konfirmuar se do të ketë ndryshime, por ka thënë se thelbi i nismës do të mbetet mbrojtja e të drejtave të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, sigurimi i një procesi të drejtë dhe të barabartë, si dhe transparenca, llogaridhënia dhe mbikëqyrja.
Ajo ka shtuar se PDK-ja që nga fillimi e ka ditur se nisma ligjore nuk do të mirëpritej nga Bashkimi Evropian, por ka theksuar se, sipas saj, Kuvendi është institucioni nga i cili buron legaliteti i Dhomave të Specializuara.
“Fatkeqësisht, BE-ja nuk e ka kryer obligimin ndaj Kosovës, sepse nuk ka arritur të garantojë një proces të drejtë dhe të barabartë”, ka shtuar Çitaku.
Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, më 23 nëntor, ka deklaruar se është në pritje të përfundimit të draftit të ri nga ekspertët.
“Gjatë kësaj jave kemi thënë dhe po presim prej ekspertëve që ta përmbyllin këto ditë”, ka deklaruar Kurti.
Ndryshe, më 16 shtator 2026, Gjykata Speciale shpalli vendimin e shkallës së parë, me të cilin katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim. Vendimi është i shkallës së parë dhe mund të apelohet.





























