Inteligjenca amerikane: Marrëdhënia e Huang me Alice ishte romantike, jo spiunazhi

26 Nëntor 2026 | 02:44

Zyrtarët e inteligjencës amerikane nuk kanë gjetur prova se Alice Huang, biznesmenia kineze që kishte një marrëdhënie jashtëmartesore me drejtuesin e kompanisë Nvidia, Jensen Huang, ishte rekrutuar nga Pekini për të spiunuar atë apo kompaninë e tij. Ky ishte përfundimi që zyrtarët amerikanë u paraqitën anëtarëve të stafit të Kongresit, sipas një raportimi të “The Wall Street Journal”.

Gjatë një informimi me dyer të mbyllura, përfaqësues të agjencive amerikane të inteligjencës deklaruan se provat e disponueshme nuk tregojnë se Alice Huang ishte udhëzuar nga shërbimet kineze për të depërtuar në Nvidia apo për të mbledhur informacione nga drejtuesi i saj. Sipas tyre, marrëdhënia mes të dyve duket se ka qenë romantike.

Megjithatë, zyrtarët konfirmuan se Alice Huang kishte pasur kontakte me një oficer të Ministrisë së Sigurisë Shtetërore të Kinës (MSS), shërbimi kryesor i inteligjencës së këtij vendi. Këto kontakte kishin nisur në pranverën e vitit 2025 dhe kishin vijuar deri në vitin 2026, edhe gjatë marrëdhënies së saj me drejtuesin e Nvidia-s.

Sipas zyrtarëve amerikanë, shërbimi kinez i inteligjencës kishte kërkuar informacione prej saj, duke u mbështetur edhe në legjislacionin kinez, i cili mund t’i detyrojë individët të bashkëpunojnë me autoritetet e sigurisë. Megjithatë, deri më tani nuk ka të dhëna se ajo i ka përcjellë shërbimit kinez informacione me rëndësi të konsiderueshme.

Brenda institucioneve amerikane ka mendime të ndryshme për mënyrën se si duhen interpretuar lidhjet e saj me inteligjencën kineze. Disa zyrtarë argumentojnë se çdo shkëmbim informacioni me MSS mund të konsiderohet spiunazh, pavarësisht rrethanave. Të tjerë vlerësojnë se kontaktet mund të kenë qenë të natyrës më të zakonshme, duke pasur parasysh se drejtuesit e bizneseve në Kinë shpesh detyrohen të mbajnë marrëdhënie me strukturat e sigurisë kombëtare.

Ndërkohë, agjencitë amerikane po hetojnë nëse marrëdhënia mes Jensen Huang dhe Alice Huang ka pasur ndonjë ndikim në dyshimet për kontrabandimin e procesorëve të avancuar të Nvidia-s drejt Kinës, në kundërshtim me kufizimet amerikane të eksportit.

Edhe bordi drejtues i Nvidia-s po zhvillon një hetim të brendshëm për këtë çështje. Sipas “The Wall Street Journal”, drejtori i Inteligjencës Kombëtare, Jay Clayton, ka kërkuar që kompania të vijojë hetimet.

Në informimin e zhvilluar për Kongresin morën pjesë përfaqësues të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Zyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (ODNI) dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA).

Gjatë takimit u diskutua edhe për Kang Wei, një biznesmen që, sipas personave të njohur me marrëdhëniet mes tij dhe Alice Huang, është bashkëshorti i saj. Zyrtarët amerikanë e përshkruan atë si një bashkëpunëtor të shërbimit kinez të inteligjencës, me të cilin kishte kontakte të shpeshta.

Informimi i Kongresit u zhvillua një ditë pasi Jensen Huang u rikthye në detyrën e drejtuesit ekzekutiv të Nvidia-s, 11 ditë pas largimit të tij në mes të polemikave për marrëdhëniet jashtëmartesore.

Çështja kishte ngritur shqetësime për sigurinë kombëtare amerikane, për shkak të pozicionit strategjik të Nvidia-s në industrinë e inteligjencës artificiale dhe rëndësisë së procesorëve të saj në konkurrencën teknologjike mes SHBA-së dhe Kinës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Talebanët u heqin grave identitetin në dokumentet zyrtare, emrat zëvendësohen me “Bibi”

Autoritetet talebane në Afganistan kanë urdhëruar heqjen e emrave të grave nga dokumentet zyrtare dhe ato shëndetësore në provincën Balkh, në veri të vendit, duke...
00:15 | 26/11/2026

Kanadaja dënon sulmet me dronë në Sudan: Dhjetëra civilë të vrarë gjatë javës së fundit

Kanadaja ka dënuar fuqimisht përshkallëzimin e dhunës dhe sulmet me dronë në Sudan gjatë javës së fundit, të cilat kanë shkaktuar vdekjen e dhjetëra civilëve...
22:08 | 25/11/2026

Kaos në trafikun e Los Angelesit, autostrada bllokohet nga fluksi i udhëtarëve për Ditën e Falënderimeve (VIDEO)

Një trafik i rënduar ka përfshirë autostradën ndërshtetërore 405 në Los Angeles, teksa mijëra udhëtarë janë nisur drejt destinacioneve të tyre në Kaliforninë Jugore përpara...
21:10 | 25/11/2026