Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Liderët rajonalë në Bruksel për samitin BE-Ballkani Perëndimor

Von der Leyen - Kurti - Costa

BE-ja riafirmon mbështetjen për dialogun Kosovë – Serbi, bën thirrje për zbatim të marrëveshjeve

4 o. më parë / 25 nën 2026 22:43
Samit

Pas takimit të liderëve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor të mërkurën në Bruksel është publikuar në mbrëmje një deklaratë 20 pikëshe. 

Në deklaratë është përmendur edhe riafirmimi i plotë për dialogun Kosovë – Serbi. 

Në pikën gjashtë të deklaratës thuhet se mungesa e normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë partnerët në rrugën e tyre drejt Evropës. 

BE-ja ka inkurajuar palët që të shfrytëzojnë momentin politik për t’u angazhuar në dialog konstruktiv dhe të bëhet progres konkret pa vonesa, drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura. 

“Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon t’i pengojë të dy partnerët në rrugën e tyre drejt Evropës. Ne riafirmojmë mbështetjen tonë të plotë për Dialogun Beograd–Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, i cili udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë dhe mbështetet nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së. Ne i inkurajojmë të dy partnerët që të shfrytëzojnë momentumin aktual politik për t'u angazhuar në mënyrë konstruktive në Dialog dhe për të bërë progres konkret, pa vonesa, drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura. Mbështetja në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet nga angazhimi konstruktiv i partnerëve, i shoqëruar me përparim të matshëm dhe rezultate të prekshme në normalizimin e marrëdhënieve të tyre”, thuhet në deklaratë. 

Në deklaratë është theksuar nevoja për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor. Është përsëritur angazhimi i plotë dhe i qartë ndaj perspektivës së Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, ndërsa është riafirmuar rëndësia e zgjerimit si një investim gjeostragjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin evropian. 

“Ne u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor që të përshpejtojnë reformat vendimtare dhe të besueshme, veçanërisht në fushën e themeloreve, si dhe të përmbushin angazhimet e nevojshme për të përparuar në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ne mirëpresim dinamizmin dhe progresin e arritur nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në BE që nga Samiti i fundit. Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit, bazuar në reformat e besueshme të partnerëve, kushtëzimin e drejtë dhe rigoroz dhe parimin e meritave të veta, është në interesin tonë të përbashkët. Paralelisht, dhe në përputhje me Deklaratën e Granadës, BE-ja duhet të vazhdojë me përgatitjet dhe reformat e veta për një Bashkim Evropian më të zgjeruar”, thuhet në deklaratë. 

Është përsëritur rëndësia e angazhimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor për t’i mbështetur vlerat dhe parimet evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Është thënë se çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohim i gjenocidit apo revizionizëm bien ndesh me vlerat themelore evropiane. 

“Liria e shprehjes, media e pavarur dhe pluraliste, barazia gjinore dhe roli i fuqishëm i shoqërisë civile janë vendimtarë për të garantuar funksionimin e demokracisë. Ne ripërsërisim thirrjen tonë drejtuar partnerëve për të garantuar të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave. Çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi bien ndesh me vlerat më themelore evropiane. Ne u bëjmë thirrje të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor që të nxisin një kulturë respekti dhe solidariteti ndaj të gjitha viktimave dhe të respektojnë dhe zbatojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe vendase në lidhje me krimet e luftës”, thuhet në deklaratë. 

Është theksuar rëndësia e bashkëpunimit gjithëpërfshirës rajonal, pajtimit dhe marrëdhënies së fqinjësisë së mirë. 

DEKLARATA

Von der Leyen: Duam t’i japim Ballkanit Perëndimor qasje në tregun e BE-së para anëtarësimit

6 o. më parë / 25 nën 2026 20:28
Ursula von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se Bashkimi Evropian synon t’i japë Ballkanit Perëndimor qasje në më shumë përfitime të tregut të përbashkët evropian edhe para anëtarësimit të vendeve të rajonit në BE.

Pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Bruksel, von der Leyen ka thënë se zgjerimi është një “imperativ strategjik” për Evropën dhe se aktualisht ekziston një momentum real për avancimin e procesit të integrimit.

“Ne duam t’i japim Ballkanit Perëndimor qasje në më shumë përfitime të tregut tonë të përbashkët përpara anëtarësimit”, ka thënë von der Leyen në një konferencë për media, duke shtuar se BE-ja po hap sektorë të caktuar për vendet e rajonit, ndërsa ato zbatojnë reforma për krijimin e kushteve të barabarta të konkurrencës.

Ajo theksoi se ky proces shoqërohet edhe me financime nga Bashkimi Evropian dhe përmendi si shembuj konkretë përfitimet që qytetarët e Ballkanit Perëndimor tashmë po i marrin përpara anëtarësimit. Sipas saj, katër partnerë të rajonit janë tashmë pjesë e SEPA-s, e cila mundëson transfere më të shpejta dhe me kosto më të ulët.

Von der Leyen u shpreh gjithashtu se po bëhet progres në zgjerimin e marrëveshjes të roamingut, ndërsa negociatat kanë nisur me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën.

Ajo bëri të ditur se në fillim të vitit të ardhshëm BE-ja planifikon të nisë dialogë për integrimin gradual me secilin prej partnerëve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim identifikimin e mundësive të reja për përfshirjen e tyre në tregun e përbashkët evropian.

Presidentja e Komisionit Evropian foli edhe për zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Sipas saj, përmbushja e hapave të reformave nga vendet e rajonit është rritur nga 38 për qind një vit më parë në 63 për qind këtë vit.

Von der Leyen deklaroi se këto reforma mund të zhbllokojnë edhe 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut në javët e ardhshme.

Ajo theksoi se krahas afrimit me BE-në, rëndësi të veçantë ka edhe afrimi ekonomik mes vetë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përmendur rritjen e tregtisë rajonale, njohjen e kualifikimeve, roamingun rajonal dhe “korsitë e gjelbra” për lehtësimin e tregtisë.

“Ballkani Perëndimor duhet gjithashtu të afrohet më shumë me njëri-tjetrin”, ka deklaruar von der Leyen, duke shtuar se suksesi i zgjerimit në fund do të matet nga ndryshimet konkrete në jetën e qytetarëve.

Sipas saj, qëllimi është që qytetarët të kenë më shumë mundësi, të rinjtë më shumë perspektivë, ndërsa bizneset të mund të rriten dhe të tregtojnë më lehtë përtej kufijve.

Në samitin BE – Ballkani Perëndimor, Kosova u përfaqësua nga kryeministri Albin Kurti. 

Costa me mesazh për Ballkanin Perëndimor: Ne jemi partneri i juaj më i palëkundur

7 o. më parë / 25 nën 2026 20:25
Von Der Leyen - Antonio Costa

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në konferencë për media pas samitit mes liderëve të Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor, ka thënë se shpeshtësia e takimeve pasqyron intensitetin e angazhimit politik të BE-së në rajon. 

Costa ka thënë se samiti i të mërkurës ka riafirmuar perspektivën e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkim Evropian. 

“Mesazhi im për të gjithë partnerët ishte i qartë: ruani ritmin dhe zbatoni reformat që do t'ju çojnë drejt Bashkimit Evropian. Zgjerimi është një mundësi reale dhe duhet shfrytëzuar. Ne bëmë një bilanc të asaj që kemi arritur që nga samiti ynë i suksesshëm në Tivat dhe diskutuam se si ta çojmë integrimin gradual në Bashkimin Evropian në nivelin tjetër.  Qytetarët në të gjithë rajonin po i ndiejnë tashmë përfitimet e kësaj qasjeje dhe ne po shqyrtojmë se si të ecim edhe më tej”, tha Costa. 

Costa ka thënë se progresi i arritur nga Mali i Zi dhe Shqipëria tregon se anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është iluzion, por një mundësi reale për ata që angazhohen.  

“Këtë vit, ne filluam hartimin e traktatit të pranimit të Malit të Zi, një hap që nuk e kishim ndërmarrë prej më shumë se 10 vjetësh. Shqipëria gjithashtu ka filluar t’i mbyllë kapitujt e negociatave. Të gjithë partnerët e tjerë të Ballkanit Perëndimor munden, nëse dëshirojnë, të bëjnë përparim në rrugën e tyre të pranimit. Kjo rrugë drejt Bashkimit Evropian nuk ka të bëjë vetëm me zbatimin e reformave të nevojshme. Bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë parakushte kyçe për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Pres me padurim përparim të mëtejshëm në zgjidhjen e çështjeve dypalëshe”, tha Costa. 

Ai ka thënë se sfidat e rrënjosura në të kaluarën duhet të kapërcehen dhe të shihet përpara e jo prapa. 

“Vetëm atëherë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor mund të bëjnë përparim të vërtetë dhe të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre si anëtarë të ardhshëm të një Evrope të qëndrueshme, të begatë dhe të bashkuar. Vetë Bashkimi Evropian është një dëshmi e kësaj qasjeje. Ai u ndërtua mbi pajtimin dhe paqen, dhe zgjerimi ka qenë thelbësor për avancimin e këtyre qëllimeve. Partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor mund të mbështeten te Bashkimi Evropian. Ne jemi partneri juaj më i palëkundur dhe do të mbetemi të tillë”, tha Costa. 
 

Kurti: Presim statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, e meritojmë

9 o. më parë / 25 nën 2026 17:38
Kurti-Samiti BE-Ballkan

Photo: Associated Press

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova pret që të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian duke theksuar se kjo nuk është çështje favori, por merite.

Në hyrje të Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Kurti ka thënë se pret që aty të shkëmbehen ide e opinione për rrugën përpara.

“Sa i përket Kosovës, ne presim statusin e kandidatit për shtetin tonë. Është vonuar shumë. Në dhjetor do të bëhen 4 vjet qëkur kemi aplikuar për pranim në BE. Vetë e kam dorëzuar në Pragë gjatë presidencës çeke... jemi i vetmi shtet pa statusin e kandidatit. S’po kërkojmë shpërblime, privilegje ose favore. Po kërkojmë të njihet progresi i Kosovës sa i përket avancimit demokratik, rritjes ekonomike, luftës ndaj korrupsionit, sundimit të ligjit, të drejtat politike dhe liritë qytetare, dhe jemi ose në majë ose së dyti në Ballkanin Perëndimor kur bëhet fjalë për indekset e demokracisë”, ka thënë Kurti për gazetarët në hyrje.

Ai ka thënë se përderisa deri tash çështja e statusit të kandidatit ka qenë “gjithmonë shumë e rëndësishme, tash është çështje urgjence”.

Kurti ka shprehur pritje që në takimin e ardhshëm të Këshillit Evropian në dhjetor, t’i shtrohet pyetja Komisionit Evropian për opinion për kërkesën e Kosovës për pranim në BE.

Kurti ka përsëritur kërkesën që të ketë implementim të plotë të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, përfshirë atë të mobilitetit dhe të njohjes së diplomave të studentëve e profesionistëve.

Sa i përket sundimit të ligjit, Kurti ka kërkuar që Serbia ta arrestojë dhe dorëzojë kryeterroristin e Banjskës, Milan Radoiçiq.