Katër ditë pushim, nga 55 në 2,700 euro; Ku do të udhëtojnë shqiptarët për festat e Nëntorit?

Nga një fundjavë në Korçë për 55 euro, te katër ditë në Paris për afro 600 euro apo një udhëtim në Tajlandë për 2,700 euro, festat e Nëntorit kanë vënë në lëvizje tregun e udhëtimeve në Shqipëri.
Këtë vit, kalendari favorizon si konsumatorët, ashtu edhe bizneset e turizmit. Me 28 dhe 29 Nëntorin që përkojnë me fundjavën dhe zhvendosjen e pushimit zyrtar në 30 nëntor dhe 1 dhjetor, shqiptarët kanë katër ditë të njëpasnjëshme pushimi, pa konsumuar asnjë ditë nga leja vjetore.
Nga një vëzhgim i “Monitor” i ofertave të publikuara nga operatorët turistikë Kalemi Travel, ATHS dhe Ilirida Travel, pjesa më e madhe e programeve është ndërtuar rreth udhëtimeve dy deri në katërditore, ndërsa gama e çmimeve dhe destinacioneve mbulon kategori të ndryshme të fuqisë blerëse.
Stambolli dhe Italia kanë një prani të gjerë në kalendarin e nisjeve, ndërsa kryeqytetet europiane dhe destinacionet e rajonit plotësojnë ofertën turistike për fundjavën e zgjatur.
Në favor të udhëtimeve këtë vit është edhe përkimi i festave kombëtare me Black Friday, më 27 nëntor, si dhe me hapjen e tregjeve të Krishtlindjeve në një sërë qytetesh europiane. Për konsumatorët shqiptarë, kjo krijon mundësinë për të kombinuar pushimet me blerjet e fundvitit.
Stambolli dhe Italia kryesojnë ofertën turistike
Stambolli dhe Italia janë ndër destinacionet me përqendrimin më të lartë të ofertave turistike për festat e Nëntorit.
Për metropolin turk janë programuar nisje të përditshme nga 26 deri më 29 nëntor, ndërsa për Italinë, oferta shtrihet nga Roma, Milano dhe Venecia deri në qytetet më të vogla të jugut të vendit si Bari-Puglia etj.
Praga, Amsterdami, Barcelona dhe Parisi plotësojnë alternativat për pushimet katërditore, ndërsa destinacionet e rajonit konkurrojnë kryesisht përmes çmimeve më të ulëta.
Megjithatë, kërkesa reale për udhëtime është më e gjerë sesa ajo që reflektohet në rezervimet pranë agjencive turistike, sipas komunikimeve me to. Prej shumë viteve tashmë, një pjesë e shqiptarëve i organizojnë pushimet në mënyrë individuale, duke rezervuar drejtpërdrejt biletat e avionit dhe strukturat akomoduese përmes platformave online.
Kjo vlen veçanërisht për destinacionet me frekuencë të lartë fluturimesh direkte dhe prani të kompanive ajrore me kosto të ulët, si Italia, Franca, Europa Qendrore etj. Në statistikat e rezervimeve të agjencive nuk përfshihen as udhëtimet për vizita te familjarët që jetojnë jashtë vendit.
Europa, deri në 2,400 euro për një familje
Italia ofron disa prej paketave më ekonomike të udhëtimeve me avion për festat e Nëntorit. Një udhëtim dyditor në Venecia ofrohet nga 199 euro për person, në Romë nga 269 euro, ndërsa në Milano nga 289 euro.
Operatorët kanë përfshirë në programet e tyre edhe itinerare që kombinojnë disa qytete, duke shfrytëzuar katër ditët e pushimit për të vizituar më shumë se një destinacion.
Për Europën Qendrore dhe Perëndimore, buxheti i nevojshëm rritet. Një udhëtim katërditor në Pragë kushton 459 euro për person, në Amsterdam dhe Bruksel 529 euro, ndërsa në Barcelonë paketat ofrohen për 439 euro.
Parisi renditet ndër destinacionet europiane më të kushtueshme në ofertat e shqyrtuara, me një paketë katërditore prej 592 eurosh për person.
Për një çift, katër ditë pushimi në një prej kryeqyteteve europiane kërkojnë një buxhet prej 800 deri në 1,200 eurosh vetëm për paketën turistike. Për një familje me katër anëtarë, nëse të gjithë paguajnë tarifën e plotë, fatura mund të arrijë në 2,400 euro, pa përfshirë shpenzimet për ushqim, blerje dhe aktivitete jashtë programit.
Ballkani, pushime me më pak se 100 euro
Destinacionet e rajonit ofrojnë mundësinë e një fundjave turistike me një buxhet dukshëm më të ulët. Paketat drejt Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Greqisë janë kryesisht dy deri në triditore, me çmime që variojnë nga 55 deri në 169 euro për person.
Një udhëtim në Brezovicë dhe Prevallë kushton 55 euro, në Shkup dhe Prishtinë 59 euro, ndërsa në Ohër dhe Strugë 65 euro për person.
Një element që dallon ofertat e kësaj periudhe nga ato të fundjavave të zakonshme është përfshirja e mbrëmjeve festive, me muzikë dhe programe të posaçme për festat kombëtare.
Diferenca në kosto sipas mënyrës së transportit është veçanërisht e dukshme në udhëtimet drejt Turqisë. Një paketë katërditore me autobus, që kombinon Stambollin me Selanikun, ofrohet për 89 euro për person, ndërsa një udhëtim treditor me avion drejt Stambollit kushton 329 euro.
Në kalendarin e operatorëve këtë vit figurojnë gjithashtu Sarajeva, Beogradi dhe bregdeti dalmat i Kroacisë, me paketa që nuk i kalojnë 170 euro për person.
Pushimet në Shqipëri, nga 220 euro për një familje
Katër ditët e pushimit përbëjnë një mundësi për të gjeneruar të ardhura edhe për strukturat akomoduese dhe bizneset e gastronomisë brenda vendit, në një periudhë relativisht të qetë për sektorin turistik.
Korça, Voskopoja, Valbona, Përmeti dhe Vermoshi janë disa prej destinacioneve të përfshira në programet e posaçme të agjencive për festat e Nëntorit.
Një udhëtim dyditor në Korçë, Përmet dhe Banjat e Bënjës kushton 55 euro për person, ndërsa një paketë në Valbonë, që përfshin edhe mbrëmje festive, ofrohet për 89 euro.
Për një familje me katër anëtarë, kostoja e një udhëtimi të organizuar brenda vendit, në këto kategori ofertash, varion nga 220 deri në 360 euro, nëse llogaritet tarifa e plotë për secilin anëtar.
Nga Dubai në Tajlandë, kur katër ditë nuk mjaftojnë
Oferta turistike për festat e Nëntorit nuk kufizohet vetëm te udhëtimet e shkurtra. Për konsumatorët me fuqi më të lartë blerëse, operatorët kanë programuar edhe pushime në destinacione të largëta, që kërkojnë shfrytëzimin e disa ditëve shtesë nga leja vjetore.
Në ofertat e këtij viti figurojnë Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjipti dhe Tajlanda.
Një udhëtim pesëditor në Dubai dhe Abu Dhabi kushton 699 euro për person, ndërsa një program gjashtëditor në Jordani ofrohet për 1,345 euro.
Për një udhëtim shtatëditor në Egjipt, që përfshin Kajron dhe Asuanin, çmimi arrin në 1,795 euro për person.
Tajlanda renditet ndër destinacionet më të shtrenjta të ofertës turistike për këtë periudhë, me një paketë tetëditore prej afro 2,700 eurosh për person, ose rreth 5,400 euro për një çift.
Çmimet, më shtrenjtë Stambolli dhe Malta, më lirë Barcelona
Krahasuar me vëzhgimin e realizuar nga “Monitor” për festat e Nëntorit të vitit 2025, ofertat e publikuara këtë vit paraqesin një ecuri të diferencuar të çmimeve. Në Stamboll, një paketë treditore që vitin e kaluar ofrohej për 289 euro për person, këtë vit kushton 329 euro, rreth 14% më shumë. Në Maltë, çmimi i një udhëtimi katërditor arrin në 481 euro, nga 370 euro një vit më parë, me një diferencë prej 30%.
E kundërta vërehet në Barcelonë, ku një paketë katërditore ofrohet për 439 euro, kundrejt 589 eurove në vëzhgimin e vitit të kaluar, rreth 25% më pak./ Deada Hyka
Sa kushton të udhëtosh për festat e Nëntorit 2026?
| Destinacioni | Ditë | Çmimi/person |
| Shqipëri dhe rajon | ||
| Korçë, Përmet, Bënjë | 2 | 55 € |
| Brezovicë, Prevallë | 2 | 55 € |
| Shkup, Prishtinë | 2 | 59 € |
| Ulqin, Kotor, Budva | 2 | 60 € |
| Strugë, Ohër | 2 | 65 € |
| Voskopojë, Pogradec, Korçë | 2 | 72 € |
| Valbonë | 2 | 89 € |
| Stamboll, Selanik | 4 | 89 € |
| Athinë, Pire | 3 | 138 € |
| Dubrovnik, Tivat | 3 | 139 € |
| Sarajevë | 3 | 159 € |
| Udhëtime me avion | ||
| Venecia | 2 | 199 € |
| Romë | 2 | 269 € |
| Milano | 2 | 289 € |
| Stamboll | 3 | 329 € |
| Barcelonë | 4 | 439 € |
| Amsterdam | 4 | 449 € |
| Berlin | 4 | 449 € |
| Pragë | 4 | 459 € |
| Maltë | 4 | 481 € |
| Zyrih, Gjenevë, Bazel | 4 | 539 € |
| Paris | 4 | 592 € |
| Destinacione të largëta | ||
| Dubai, Abu Dhabi | 5 | 699 € |
| Jordani | 6 | 1,345 € |
| Egjipt | 7 | 1,795 € |
| Tajlandë | 8 | 2,699 € |
Burimi: Vëzhgim i Monitor mbi ofertat e operatorëve turistikë, nëntor 2026. Çmimet janë për person dhe mund të ndryshojnë në varësi të momentit të rezervimit.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









