Mbi 600 investitorë në Tiranë, kryeministri Rama publikon pamje nga Konferenca e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend një projektligj që parashikon shtyrjen e afatit për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme deri më 31 dhjetor 2027.
Nisma është propozuar nga deputeti Olsi Komiçi dhe i është përcjellë për shqyrtim kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Projektligji parashikon ndryshime në ligjin nr. 85/2025 “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, duke shtyrë me një vit afatin aktual për kryerjen e këtij procesi nga individët dhe personat juridikë.
Sipas përmbajtjes së projektligjit, afati për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme nga individët do të shtyhet deri më 31 dhjetor 2027. E njëjta shtyrje parashikohet edhe për personat juridikë, të cilët do të kenë mundësi të kryejnë rivlerësimin deri në të njëjtën datë.
Një tjetër pikë e rëndësishme e nismës lidhet me qytetarët që kanë paraqitur kërkesën për rivlerësim pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe kanë paguar tatimin përkatës, por që për shkak të procedurave administrative nuk arrijnë ta përfundojnë procesin brenda afatit të përcaktuar.
Për këto raste, projektligji parashikon që procedurat administrative të përfundojnë deri më 31 mars 2028, duke u dhënë institucioneve një afat shtesë për trajtimin e kërkesave të depozituara.
Nisma përcakton gjithashtu mënyrën e pasqyrimit kontabël të diferencës mes vlerës që rezulton nga rivlerësimi dhe vlerës kontabël të pasurisë për personat juridikë. Kjo diferencë, për rivlerësimet e kryera gjatë vitit 2027, do të reflektohet në pasqyrat financiare të po këtij viti.
Në relacionin shoqërues argumentohet se shtyrja e afateve synon t’u japë subjekteve të interesuara më shumë kohë për të përmbushur kërkesat dhe procedurat e nevojshme, si dhe të shmangë penalizimin e atyre që kanë kryer pagesat, por presin përfundimin e procedurave administrative nga institucionet.
Sipas propozuesve, projektligji synon gjithashtu të garantojë sigurinë juridike dhe një trajtim të qartë të efekteve të rivlerësimit për personat juridikë.
Në relacion theksohet se kjo nismë nuk sjell efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit.
Projektligji është depozituar në Kuvend për shqyrtim dhe miratim dhe parashikon që ligji i ri të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Shkresa përcjellëse
REPUBLIKA E SHQIPËRISË KUVENDI
GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË SOCIALISTE
Nr. 6573 prot.
Tiranë, më 18/11/2026
Lënda: Depozitim projektligji.
Drejtuar: Z. Niko PELESHI
KRYETAR I KUVENDIT TË SHQIPËRISË
I nderuar z. Kryetar,
Bazuar në nenin 81 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 68 të Rregullores së Kuvendit, Ju paraqes për shqyrtim dhe miratim projektligjin “Për një shtesë në ligjin nr. 85/2025, ‘Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme’”.
Ju faleminderit.
DEPUTETI PROPOZUES
Olsi KOMIÇI
Projektligji
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
KUVENDI
PROJEKTLIGJ
Nr. ____/2026
PËR
PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR. 85/2025, “PËR RIVLERËSIMIN E PASURISË SË PALUAJTSHME”
Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, 83, pika 1, dhe 155 të Kushtetutës, me propozimin deputeti,
VENDOSI:
Në ligjin nr. 85/2025, “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, bëhet shtesa e mëposhtme:
Neni 1
Pas nenit 2 shtohet neni 2/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 2/1
Shtyrja e afateve”
1. Afati i përcaktuar në pikën 1 të nenit 1 të këtij ligji, për kryerjen e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme nga individët, shtyhet deri më 31 dhjetor 2027.
2. Për kërkesat për rivlerësim të paraqitura pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për të cilat është kryer pagesa e tatimit, por nuk kanë përfunduar procedurat administrative brenda datës 31 dhjetor 2027, zbatohen dispozitat e këtij ligji dhe procedurat administrative përfundojnë deri më 31 mars 2028.
3. Afati i përcaktuar në pikën 1 të nenit 2 të këtij ligji, për kryerjen e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme nga personat juridikë, shtyhet deri më 31 dhjetor 2027.
4. Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme të kryera nga personat juridikë gjatë vitit 2027, diferenca ndërmjet vlerës që rezulton nga rivlerësimi dhe vlerës kontabël të pasurisë reflektohet në pasqyrat financiare të vitit 2027.
Neni 2
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYETARI
NIKO PELESHI
FAQJA 3 – Relacioni
RELACION
PËR PROJEKTLIGJIN “PËR NJË SHTESË NË LIGJIN NR. 85/2025, PËR RIVLERËSIMIN E PASURISË SË PALUAJTSHME”
Ky projektligj ka për qëllim shtyrjen deri më 31 dhjetor 2027 të afateve të përcaktuara në ligjin nr. 85/2025, “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”, për kryerjen e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme nga individët dhe personat juridikë, si dhe përcaktimin e rregullave për përfundimin e procedurave administrative të nisura brenda afatit ligjor.
Në këtë kontekst, shtyrja e afateve deri më 31 dhjetor 2027 vlerësohet e nevojshme për t’u dhënë subjekteve të interesuara një mundësi më të gjerë kohore për të përmbushur kërkesat dhe procedurat e nevojshme për kryerjen e rivlerësimit. Kjo ndërhyrje synon të zgjerojë mundësinë e përfitimit nga procesi, duke shmangur kufizimet që mund të krijohen nga afati aktual dhe duke u dhënë individëve dhe personave juridikë kohën e nevojshme për të vendosur dhe për të realizuar rivlerësimin e pasurive të tyre.
Njëkohësisht, projektligji trajton edhe situatën e kërkesave për rivlerësim të paraqitura pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, për të cilat është kryer pagesa e tatimit përkatës, por procedurat administrative nuk kanë përfunduar brenda datës 31 dhjetor 2027. Në këto raste, është e rëndësishme që subjektet të cilat kanë përmbushur detyrimin e tyre tatimor të mos cenohen për shkak të kohës së nevojshme për përfundimin e procedurave administrative nga institucioni përgjegjës. Për këtë arsye, propozohet përcaktimi i një afati shtesë deri më 31 mars 2028, brenda të cilit këto procedura të përfundojnë, në përputhje me dispozitat e ligjit.
Gjithashtu, në funksion të qartësisë dhe sigurisë juridike për personat juridikë, projektligji përcakton trajtimin kontabël të diferencës ndërmjet vlerës së pasurisë që rezulton nga rivlerësimi dhe vlerës së saj kontabël. Në këtë mënyrë, për rivlerësimet e kryera gjatë vitit 2027, kjo diferencë do të pasqyrohet në pasqyrat financiare të të njëjtit vit, duke siguruar një trajtim të qartë të efekteve të rivlerësimit në raportimin financiar të të njëjtit vit.
Për sa më sipër, shtyrja e afateve paraqitet si një masë që synon të lehtësojë përfitimin nga procesi i rivlerësimit, të garantojë përfundimin e procedurave të nisura dhe të sigurojë trajtimin e qartë të rivlerësimeve të kryera nga personat juridikë, në interes të subjekteve që zgjedhin të përfitojnë nga ky proces.
Projektligji nuk sjell efekte financiare shtesë për buxhetin e shtetit.
Top Channel