E enjte, 26 nëntor 2026 · Tiranë Facebook
Politikë

Celibashi keqpërdori kërkesën, Arlind Qori: Kandidimi im vetëm për kryetar në Tiranë, sqarimi lidhej me bashkitë e vogla

Kreu i Lëvizjes BASHKË, Arlind Qori, ka reaguar pas debatit të krijuar në media lidhur me një kërkesë të tij drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për mundësinë e kandidimit njëkohësisht për kryetar bashkie dhe anëtar të Këshillit Bashkiak, që në fakt lidhej me bashkit e vogla, por u keqpërdor nga përfaqësues të Partisë Demokratike.

Në një sqarim publik, Qori thekson se nuk ka pranuar të kandidojë për Këshillin Bashkiak as në zgjedhjet e vitit 2023 dhe se në zgjedhjet e 9 majit do të jetë kandidat i Lëvizjes BASHKË vetëm për kryetar të Bashkisë së Tiranës.

Ai sqaron se kërkesa drejtuar KQZ-së ( kjo e fundit e keqpërdori duke humbur seriozitetin e institucionit që paguhet nga taksat e qytetarëve) nuk lidhet me kandidimin e tij në Tiranë, por me një çështje të ngritur nga strukturat e partisë në disa bashki të vogla, ku kërkohet të sqarohet nëse ligjërisht një qytetar mund të kandidojë njëkohësisht për kryetar bashkie dhe anëtar të Këshillit Bashkiak.

Qori thekson se kërkesën e ka hartuar në cilësinë e kryetarit dhe përfaqësuesit të vetëm ligjor të Lëvizjes BASHKË, duke kritikuar gjithashtu publikimin e saj në media përpara se KQZ-ja të kthente një përgjigje zyrtare.

Në reagimin e tij, kreu i Lëvizjes BASHKË e cilëson debatin e krijuar si një “pseudoçështje” dhe kërkon që vëmendja të përqendrohet te zhvillimet politike dhe protesta e paralajmëruar për datat 28-29 nëntor.

Në përfundim, Qori u bën thirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e fundnëntorit, duke e cilësuar atë si përparësi përballë zhvillimeve të tjera politike.

Reagimi i plotë i Arlind Qorit:

“Unë nuk kam pranuar të kandidoj për Këshillin Bashkiak as më 2023, kur sapo ishim formuar si parti. Kështu që edhe më 9 maj do të jem kandidat i Lëvizjes BASHKË vetëm për kryetar bashkie i Tiranës.

Kërkesa për sqarim që i kam drejtuar KQZ – dhe që është shndërruar sot në një episodth telenovele mediatike – është shkruar nga unë si kryetar dhe përfaqësuesi i vetëm ligjor (me fuqi firme) i Lëvizjes BASHKË. Dhe afërmendsh nuk lidhet fare me Tiranën dhe as me statusin tim si kandidat. Është një çështje që do ta çojmë përpara me kërkesën e bazave të Lëvizjes BASHKË në disa bashki të vogla, të cilat duan të dinë nëse një qytetar mund të kandidojë njëkohësisht për kryetar bashkie dhe anëtar i Këshillit Bashkiak.

Uroj që KQZ të jetë po aq e shpejtë në kthimin e përgjigjes, sa ç’ishte në ‘dekonspirimin’ e letrës.

Ju kërkoj ndjesë që ju mora kohë me këtë sqarim, krejt të parëndësishëm në kontekstin social dhe politik në të cilin gjendet Shqipëria, por të nevojshëm thjesht për të mos ushqyer më mediatikisht një pseudoçështje.

Përparësi e çdo shqiptari të ndershëm mbetet protesta e madhe e 28-29 Nëntorit.

Të gjithë bashkë kundër të keqes!”- Përfundon Qori

Nuk është hera e parë që KQZ publikon në grupe whats app-i me gazetarë besnik, materiale të tilla me qëllim keqpërdorimin duke vendosur kështu në pikpyetje edhe seriozitetin e këtij institucioni që ‘ngjallet’ vetëm në proçeset zgjedhore.

Të fundit

Lini një koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *