Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në orën 10:00 në seancë plenare, ku deputetët pritet të votojnë Projektbuxhetin e vitit 2027 dhe paketën fiskale. Në rendin e ditës janë përfshirë gjithsej 11 pika, mes tyre edhe dy akte normative që lidhen me tubimet dhe dëmshpërblimin për subjektet e prekura nga aktet e dhunshme gjatë protestave.
Përveç projektbuxhetit, deputetët do të shqyrtojnë ndryshimet në pesë ligje që lidhen me sistemin tatimor: tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në, procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.
Një tjetër çështje në rendin e ditës janë dy aktet normative të miratuara nga qeveria më 28 tetor 2026. Akti normativ nr. 5 parashikon ndryshime në ligjin “Për tubimet”, ndërsa akti normativ nr. 6 lidhet me shpërblimin e dëmit civil ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave.
Shqyrtimi i tyre në Kuvend zhvillohet dy ditë përpara protestës mbarëkombëtare të paralajmëruar për 28 nëntor. Ndërkohë, protestat e përditshme kundër qeverisë në Tiranë kanë hyrë në ditën e 179-të.
Në rendin e ditës është përfshirë edhe projektligji për pranimin e ndryshimeve të përshtatura më 30 maj 2025 në Memorandumin e Mirëkuptimit të Parisit për kontrollin shtetëror portual.
Rendi i ditës së seancës plenare:
- Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 18 nëntor 2026.
- Njoftime.
- Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.
- Projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”.
- Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.
- Projektligji për disa ndryshime në ligjin “Për taksat kombëtare”.
- Projektligji për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”.
- Projektligji “Për buxhetin e vitit 2027”.
- Projektligji për pranimin e ndryshimeve të përshtatura më 30 maj 2025 në Memorandumin e Mirëkuptimit të Parisit për kontrollin shtetëror portual.
- Akti normativ nr. 5, datë 28 tetor 2026, për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për tubimet”.
- Akti normativ nr. 6, datë 28 tetor 2026, për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave.