Dhëndri i Trumpit lavdëron diktatorin rus: Putini është kryemjeshtër i politikës, ai është një personalitet historik

Nga Jared Kushner pritet t’i japë fund luftës në Ukrainë. Ai është dhëndri i Donald Trumpit, presidentit të SHBA-së dhe biznesmen (mes tjerash planifikon të investojë në Shqipëri, ndërsa një projekt në Beograd i ka dështuar për shkak të rezistencës së drejtësisë serbe).
Në podkastin MD MEETS të Mathias Döpfner, i cili është shef i gjigantit medial gjerman Axel Springer, Kushner ka folur hapur si asnjëherë më parë se çfarë është duke ndodhur në bisedimet që ai po zhvillon me diktatorin rus Vlladimir Putin, të cilin Kushner nuk e quan të tillë, por e lavdëron si “kryemjeshtër të politikës”. Europianët, ndërkaq, Kushner i kritikon. Edhe Ukrainën.
Gazeta gjermane “BILD” dokumenton në numrin e së enjtes deklaratat më të rëndësishme nga intervista e Kushnerit.
Në pyetjen se pse po ecin kaq ngadalë negociatat, Kushner nuk e bën përgjegjës Kremlinin, por drejton gishtin nga Kievi: „Para rreth një viti më lutën të angazhohem në këtë (çështje). Në fund të nëntorit bëmë përparimet e para dhe nisëm punën. Por në fund të dhjetorit ndodhi sulmi i ukrainasve ndaj shtëpisë së Putinit. Unë besoj se kjo e ktheu sërish prapa (Putinin).“
Për çka bëhet fjalë? Atëbotë Moska i akuzoi ukrainasit se kishin vënë në shënjestër një nga shtëpitë e Putinit. Kievi e mohoi këtë dhe e quajti pretendimin „gënjeshtra tipike ruse“. Sipas gazetës amerikane “Wall Street Journal”, edhe shërbimet sekrete të SHBA-së arritën në përfundimin se Ukraina nuk e kishte sulmuar rezidencën e Putinit. Pra, shërbimet amerikanë thonë se Ukraina nuk ia sulmoi shtëpinë Putinit, ndërsa Kushneri beson atë që thotë Kremlini.
Kushner e pranon se „për çështjen territoriale aktualisht kemi ngecur pak“. Këtë përshtypje e paskan fituar ai dhe kolegu i tij Steve Witkoff „pas shumë, shumë orë [bisedimesh] me Presidentin Putin“. Prandaj Kushner do të donte që periudha e pasluftës të negociohej përpara se të diskutohen lëshime të mundshme territoriale. Pra, së pari të rregullohet çështja e garancive të sigurisë ndaj Ukrainës, pastaj në rend dite do të jetë territori ukrainas. Kushner e akuzon Kievin se po kërkon garanci që shkojnë përtej klauzolave të ndihmës së NATO-s (Neni 5).
Në pyetjen se përse Putini nuk i jep fund luftë, të cilën vetë e ka nisur, Kushner përgjigjet: „Ai ka shumë pak besim se, nëse i jep fund luftës, mund të arrijë një zgjidhje paslufte që parandalon një luftë të re.“ Sipas Kushnerit, Putini „deri tani ka treguar përmbajtje“ në luftë. Çfarë do të thotë Kushner me këtë: „Ai ka premtuar të mos përdorë armë bërthamore, gjë që natyrisht ka rëndësi të jashtëzakonshme. Dhe ai na ka siguruar se as nuk e ka ndërmend këtë.“
I pyetur se si sillet diktatori rus pas dyerve të mbyllura, Kushner shpjegon: „Presidenti Putin hyn në këto biseda shumë mirë i organizuar. Mund ta quash të mirë apo të keqe atë që ka bërë. Por ai është definitivisht kryemjeshtër i politikës. Ai është një personalitet historik.“
Kushner ka hedhur poshtë akuzat se Washingtoni po i bën presion Ukrainës. „Ne nuk i kemi bërë në asnjë mënyrë presion presidentit Selenski dhe ukrainasve. Detyra jonë është të veprojmë si ndërmjetës. Në fakt, ne madje i mbështesim ukrainasit. U vëmë në dispozicion informacione të shërbimeve sekrete dhe SHBA-ja në këtë luftë ka qenë financuesi i tyre më i madh. Qëndrimi i presidentit Trump ka qenë i karakterizuar nga mbështetja”.


































