Buxheti 2027 dhe paketa fiskale në Kuvend, deputetët shqyrtojnë edhe aktet për tubimet dhe protestat
Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare, ku në fokus të diskutimeve dhe votimeve do të jenë projektbuxheti i vitit 2027 dhe paketa fiskale, e cila përfshin një sërë ndryshimesh në legjislacionin tatimor.
Sipas rendit të ditës, deputetët do të shqyrtojnë disa projektligje që lidhen me tatimin mbi të ardhurat, tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH), procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat. Këto ndryshime përbëjnë pjesën kryesore të paketës fiskale për vitin e ardhshëm.
Në seancën e sotme pritet gjithashtu të diskutohet dhe të hidhet në votim projektligji për buxhetin e vitit 2027, një prej çështjeve kryesore të axhendës parlamentare.
Pjesë e rendit të ditës janë edhe dy aktet normative të miratuara nga qeveria më 28 tetor 2026. I pari parashikon ndryshime në ligjin për tubimet, ndërsa akti i dytë lidhet me shpërblimin e dëmit civil ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë protestave dhe rregullimin e pasojave.
Këto dy akte pritet të shqyrtohen nga deputetët në kuadër të procedurave parlamentare.




