Qeveria amerikane njoftoi se ka miratuar shitjen e pjesëve rezervë dhe pajisjeve për mirëmbajtjen e avionëve luftarakë F-16 të përdorur nga Forcat Ajrore të Ukrainës, një transaksion me vlerë mbi 600 milionë dollarë, kostoja e të cilit do të mbulohet nga qeveritë e vendeve evropiane.
Ukraina do të përdorë fonde nga Belgjika, Danimarka, Holanda dhe Norvegjia për këtë blerje dhe “nuk do të shpenzohen fonde amerikane”, theksoi Departamenti i Shtetit në njoftimin për shtyp që lëshoi.
Në fillim të tetorit, Wall Street Journal raportoi se “shumica dërrmuese” e avionëve ukrainas F-16 të përdorur për të zmbrapsur sulmet ajrore ruse janë jashtë shërbimit, në pritje të inspektimit dhe riparimit nga teknikët.
Diplomacia ukrainase e mohoi raportin e gazetës, duke siguruar se avionët luftarakë të prodhuar në Amerikë, të cilët i janë dhënë nga aleatët e Kievit që nga viti 2024, vazhdojnë të përdoren “intensivisht” në operacione.
Megjithatë, një zëdhënës i autoriteteve ukrainase pranoi se mirëmbajtja e këtyre avionëve përbën një “sfidë”, pasi ato janë modele më të vjetra, për të cilat disa pjesë këmbimi nuk prodhohen më dhe është gjithnjë e më e vështirë të sigurohen.
© SYRI.net