Raheem Sterling është dënuar nga drejtësia britanike pasi është shpallur fajtor për drejtim të rrezikshëm të automjetit. Ish-sulmuesi i Kombëtares së Anglisë dhe Manchester Cityt është dënuar me 12 muaj burg, dënim i cili është pezulluar për 18 muaj.
Sipas raportimit të BBC, vendimi i dhënë të mërkurën parashikon gjithashtu heqjen e lejes së drejtimit për dy vite, si dhe kryerjen e 100 orëve punë në shërbim të komunitetit. Ngjarja për të cilën bëhet fjalë daton në shtatorin e kaluar, kur 31-vjeçari u arrestua pasi dyshohej se drejtonte automjetin nën efektin e oksidit të azotit, i njohur ndryshe si “gazi i të qeshurës”.
Gjatë procesit gjyqësor, Sterling pranoi fajësinë për drejtim të rrezikshëm të automjetit, posedim të oksidit të azotit, si dhe për refuzimin e kryerjes së testit të alkoolit.
Dëshmitarët okularë deklaruan se e kishin parë futbollistin duke thithur gaz nga një tullumbace e bardhë, ndërsa ishte në timon. Sipas tyre, automjeti po ndryshonte korsi në mënyrë të rrezikshme, duke rrezikuar seriozisht përdoruesit e tjerë të rrugës.
Njëri prej dëshmitarëve e përshkroi situatën si tejet alarmante, duke deklaruar se mënyra e drejtimit të automjetit nga Sterling mund të kishte përfunduar me humbjen e jetës së dikujt.
Ndërkohë, në aspektin sportiv, sulmuesi anglez është aktualisht pa skuadër, pas një karriere ku ka veshur fanellat e Liverpoolit, Manchester Cityt, Chelseat, Arsenalit dhe Feyenoordit.
Me fanellën e Kombëtares së Anglisë, Sterling ka zhvilluar 82 ndeshje, ndërsa periudhën më të suksesshme të karrierës e përjetoi te Manchester City, ku fitoi katër tituj kampionë të Premier League.
