Australia pritet të përjetojë një verë më të nxehtë se mesatarja, pasi forcimi i fenomenit El Niño rrit mundësinë e temperaturave jashtëzakonisht të larta dhe të valëve të të nxehtit, njoftoi të enjten agjencia meteorologjike e vendit.
Në parashikimin e saj më të fundit klimatik afatgjatë, Byroja e Meteorologjisë (BoM) parashikoi një probabilitet prej më shumë se 80% që temperaturat gjatë ditës dhe natës të jenë mbi mesataren në pothuajse të gjithë territorin e Australisë, gjatë periudhës nga dhjetori deri në shkurt.
Mundësia e netëve jashtëzakonisht të ngrohta është tre deri në katër herë më e lartë se normalja në pjesën më të madhe të vendit.
Për pjesën më të madhe të Australisë Perëndimore veriore dhe Territorit Verior, si dhe për disa zona të juglindjes, përfshirë pjesën më të madhe të Tasmanisë, parashikohen reshje nën mesataren. Ndërsa në disa zona të Queensland-it jugor dhe në pjesën verilindore të Uellsit të Ri Jugor pritet të ketë reshje mbi mesataren.
Megjithatë, byroja paralajmëroi se Australia veriore mund të përjetojë ende stuhi të forta, ciklone tropikale, reshje të dendura shiu dhe përmbytje gjatë sezonit të saj të shirave.
"Një fenomen El Niño i fortë deri në shumë të fortë është aktiv dhe vazhdon të forcohet", deklaroi byroja, duke shtuar se modelet klimatike tregojnë se fenomeni ka të ngjarë të arrijë kulmin në dhjetor ose janar.
Temperaturat e sipërfaqes së detit rreth Australisë jugore dhe juglindore janë deri në 3°C (5,4°F) mbi mesataren.
Oqeanet më të ngrohta mund të intensifikojnë stuhitë, ciklonet tropikale dhe reshjet e dendura të shiut, duke furnizuar atmosferën me lagështi dhe energji shtesë, bëri të ditur byroja.
Temperaturat globale të sipërfaqes së deteve vijojnë të qëndrojnë në nivele rekord, ku tetori i vitit 2026 rezultoi tetori më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë, me temperatura 1,05°C mbi mesataren e periudhës 1961–1990./AA
© SYRI.net
Musk premton dy aksione të SpaceX për çdo fëmijë në SHBA, dhurata kap vlerën e 18.4 miliardë dollarëve
Britania strehon avionët ushtarakë në hangare dhe instalon rrjeta mbrojtëse nga frika e sulmeve me dronë