Të paktën 31 persona humbën jetën e 21 u plagosën pas një zjarri masiv nga aksidenti ku u përfshi një kamion cisternë me produkte nafte, pranë kryeqytetit egjiptian, Kajro.
Cisterna doli nga rruga dhe u përplas, duke shkaktuar shpërthimin e një zjarri me përmasa të mëdha.
Flakët e përhapura me shpejtësi, përfshinë të tjera mjete në zonë. Sipas vlerësimeve paraprake të prokurorisë, 27 makina e motoçikleta, u shkatërruan nga zjarri.

Menjëherë pas incidentit, në vendngjarje u dërguan 39 autoambulanca, ndërsa të plagosurit u transportuan në tre spitale për ndihmë mjekësore.
Prokuroria egjiptiane po kryen hetime për të përcaktuar shkaqet e aksidentit dhe rrethanat që çuan në zjarrin masiv. Për dy viktima, identiteti i të cilëve ende nuk është përcaktuar, janë urdhëruar analiza të ADN-së.