E bëri me kursimin e pensionit / GJKKO i rikthen Fatime Kryemadhit vilën te Kodra e Diellit, i shpëton burgut për shkak të moshës, Piro Xhixho shpallet i pafajshëm

Aktualitet

Publikuar: 26/11/2026

E bëri me kursimin e pensionit / GJKKO i rikthen Fatime Kryemadhit vilën te Kodra e Diellit, i shpëton burgut për shkak të moshës, Piro Xhixho shpallet i pafajshëm

Gjykata e Posaçme (GJKKO) ka dënuar nënën e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhin, me 7 vite e 6 muaj burgim, për pastrimin e parave të korrupsionit të çiftit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi i saj është ulur në 5 vite. Edhe ky dënim do t’i konvertohet në dy vjet shërbim prove për shkak të moshës së thyer. Pra, Fatime Kryemadhi nuk do bëjë asnjë ditë burg. Jo vetëm kaq. Por, GJKKO i ka rikthyer edhe vilën që i kishte sekustruar SPAK-u, duke pranuar versionin e gjyshe Fatimes se vilën e ka bërë me kursimet e pensionit.

Fatime Kryemadhi, nëna e Monika Kryemadhit, ishte marrë e pandehur për veprën penale të pastrimit të parave, të kryer në bashkëpunim. Sipas hetimeve të SPAK, ajo dyshohej se kishte përdorur shuma të konsiderueshme parash cash për shlyerjen e kredive të marra për blerjen e pasurive të paluajtshme. Prokuroria pretendonte se ajo nuk justifikonte burimin e ligjshëm të 98 mijë eurove, 246 mijë dollarëve dhe 100 mijë eurove të tjera, të deklaruara si pagesa nga kompania AGI Kons, si dhe të shumave të tjera të konsideruara me burim të pajustifikuar. SPAK kishte kërkuar gjithashtu konfiskimin e vilës së saj në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë. Megjithatë, GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për konfiskimin e pasurisë.

Ndërsa Pirro Xhixhon gjykata e shpall të pafajshëm për korrupsion. Ai ishte akuzuar nga SPAK për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë. Sipas pretendimeve të Prokurorisë, Xhixho kishte favorizuar një skemë korruptive që lidhej me përfitime të pretenduara nga Monika Kryemadhi, përmes ndërhyrjeve në funksionin e tij si drejtues i AKEP-it.

SPAK kishte kërkuar dënimin e tij me 4 vite e 6 muaj burgim, ndërsa me gjykim të shkurtuar dënimi do të zbriste në 3 vite. Për shkak të moshës dhe rrethanave të tjera, prokuroria kishte kërkuar që dënimi të konvertohej në shërbim prove. Gjykata, megjithatë, ka vendosur ta shpallë të pafajshëm.

Ndërkohë, Ema Çoku është dënuar për veprën penale të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Dënimi i caktuar është 2 vite burgim, i cili me uljen e parashikuar nga gjykimi i shkurtuar zbret në 1 vit e 4 muaj. Në përfundim, ekzekutimi i dënimit është pezulluar dhe ajo është vendosur në shërbim prove për 2 vite e 8 muaj.

Çoku ishte marrë fillimisht e pandehur nga SPAK për pastrim parash. Në kuadër të hetimeve, Prokuroria kishte pretenduar se ajo kishte ndihmuar në justifikimin e burimeve financiare të Fatime Kryemadhit përmes deklaratave noteriale, ku deklarohej se i kishte dhënë kësaj të fundit 240 mijë euro hua. SPAK kishte evidentuar gjithashtu transaksione financiare mes tyre dhe pagesa të kryera nga kompania e Çokut për shpenzime hotelerie të shtetasve të huaj që kishin ardhur në Shqipëri për të mbështetur LSI-në, si dhe për aktivitete të Lëvizjes Rinore për Integrim (LRI). Sipas Prokurorisë, këto veprime nuk përputheshin me mundësitë e saj financiare.

Dosja ndaj Fatime Kryemadhit, Piro Xhixhos dhe Ema Çokut është gjykuar e veçuar nga procesi kryesor ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, pasi të tre të pandehurit kishin përfituar gjykimin e shkurtuar. Ndërkohë, procesi ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, vijon veçmas në Gjykatën e Posaçme.