Fundoset anija me 7 mijë tonë naftë në brigjet e Ibizës, humb jetën një anëtar i ekuipazhit

26/11/2026 10:28

Një anije cisternë që mund të transportonte deri në 7 mijë tonë naftë është fundosur në orët e para të mëngjesit të së enjtes, rreth 46 kilometra larg ishullit të Ibizës në Spanjë.

Si pasojë e ngjarjes, një anëtar i ekuipazhit ka humbur jetën, raporton Reuters.

Bëhet fjalë për anijen cisternë “Med Emre”, me flamur maltez, e cila ishte nisur nga Algecirasi drejt Barcelonës. Sipas Departamentit të Brendshëm të Ishujve Balearikë, anija mund të transportonte deri në 7 mijë tonë naftë.

Në bord ndodheshin 17 anëtarë të ekuipazhit, të cilët u shpëtuan nga ekipet e emergjencës. Megjithatë, njëri prej tyre ndërroi jetë pasi u transportua në spitalin Can Misses të Ibizës.

Gjashtë anëtarë të tjerë u dërguan në dy spitale, pasi kishin pësuar dëmtime të lehta shëndetësore, kryesisht për shkak të hipotermisë. Pesë të tjerë u transportuan drejt Valencias, ndërsa pesë pjesëtarë të ekuipazhit, në gjendje të mirë shëndetësore, qëndruan në bordin e një anijeje shpëtimi.

Pas fundosjes, autoritetet spanjolle aktivizuan planin kombëtar të emergjencës për ndotjen detare në nivelin 2, i dyti më i lartë. Në zonë u dërgua anija e specializuar “Clara Campoamor”, e pajisur për ndërhyrje në rastet e derdhjes së naftës, si dhe një avion për monitorimin e hapësirës detare. Në operacionin e shpëtimit morën pjesë edhe tre helikopterë dhe anije tregtare që ndodheshin pranë vendngjarjes.

Shqetësimi kryesor i autoriteteve lidhet me pasojat e mundshme mjedisore, pasi ujërat në verilindje të Ibizës janë habitat i breshkave detare, delfinëve dhe shpendit detar “Balearic shearwater”, një nga speciet më të rrezikuara në Evropë. Në këtë zonë ndodhen gjithashtu livadhe të gjera nënujore të bimës Posidonia oceanica, e cila luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e biodiversitetit detar.

Qeveria rajonale e Ishujve Balearikë po mbledh informacione për të vlerësuar rrethanat e aksidentit dhe pasojat e mundshme, përpara se të vendosë për masat e mëtejshme.

Top Channel