Aktualitet

Nëna e Monika Kryemadhit dënohet me 5 vite burg, i konvertohet në shërbim prove/Piro Xhixho i pafajshëm!

Gjykata e Posaçme, GJKKO dha vendimin për tre të pandehurit në fraksionin e ndarë të dosjes Ilir Meta-Monika Kryemadhi, të gjykuar me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Për Fatime Kryemadhin, nënën e Monika Kryemadhit, GJKKO-ja vendosi: 7 vite e 6 muaj, që me gjykim të shkurtuar reduktohen në 5 dhe dënimi konvertohet në 2 vite shërbim prove.

Për Ema Çokun: 2 vite, 1.4 me gjykim të shkurtuar, konvertohet në shërbim prove 2 vite e 8 muaj. Hiqet masa e detyrimit për paraqitje.

Ndërkaq, Piro Xhixho, u shpall i pafajshëm për korrupsion dhe iu hoq masa e detyrimit për paraqitje.

Po ashtu, Gjykata e Posaçme vendosi rrëzimin e kërkesës së SPAK-ut në lidhje me konfiskimin e vilës së Fatime Kryemadhit.

Fatime Kryemadhi ishte marrë e pandehur për veprën penale të pastrimit të parave, të kryer në bashkëpunim. Sipas hetimeve të SPAK-ut, dyshohej se kishte përdorur shuma të konsiderueshme parash cash për shlyerjen e kredive të marra për blerjen e pasurive të paluajtshme.

Prokuroria e Posaçme pretendonte se nuk justifikonte burimin e ligjshëm të 98 mijë eurove, 246 mijë dollarëve dhe 100 mijë eurove të tjera, të deklaruara si pagesa nga kompania AGI Kons, si dhe të shumave të konsideruara me “burim të pajustifikuar”.

Po ashtu, SPAK-u kërkoi konfiskimin e vilës së saj në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë, çka GJKKO-ja e rrëzoi.

Për ish-kreun e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), Piro Xhixho, GJKKO ka vendosur pafajësinë.

Nga SPAK-u, Xhixho akuzohej për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë. Sipas pretendimeve të Prokurorisë, kishte favorizuar një skemë korruptive që lidhej me përfitime të pretenduara nga Monika Kryemadhi, përmes ndërhyrjeve në funksionin e tij si drejtues i AKEP-it.

SPAK-u  kërkonte dënimin e tij me 4 vite e 6 muaj burg, por gjykata e shpalli “të pafajshëm”.

Ndërkohë, Ema Çoku u dënua për veprën penale të veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Dënimi i caktuar është 2 vite burg e që me uljen e parashikuar nga gjykimi i shkurtuar zbret në 1 vit e 4 muaj.

Në përfundim, ekzekutimi i dënimit është pezulluar, duke e vendosur Çokun në shërbim prove për 2 vite e 8 muaj.

Fillimisht, ajo u mor e pandehur nga SPAK-u për pastrim parash, me pretendimin se kishte ndihmuar në justifikimin e burimeve financiare të Fatime Kryemadhit përmes deklaratave noteriale, ku shprehej se i kishte dhënë 240 mijë euro hua.

SPAK-u evidentoi edhe transaksione financiare, mes tyre pagesa të kryera nga kompania e Çokut për shpenzime hotelerie të shtetasve të huaj të ardhur në Shqipëri për të mbështetur LSI-në, si dhe për aktivitete të Lëvizjes Rinore për Integrim (LRI). Sipas Prokurorisë, këto veprime nuk përputheshin me mundësitë e saj financiare.

Dosja ndaj Fatime Kryemadhit, Piro Xhixhos dhe Ema Çokut u gjykua e veçuar nga procesi kryesor ndaj Ilir Metës e Monika Kryemadhit. Të tre përfituan gjykimin e shkurtuar.

Ndërkohë, procesi ndaj Ilir Metës e ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi, vijon veçmas në Gjykatën e Posaçme.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.